Zëvendëspresidenti Galiani: Milani nuk është i varfër
Pasi i bëri thirrje tifozëve që të mos presin blerje të bujshme në merkato, zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galiani, ka folur sërish për financat e klubit. Vetëm pak ditë më parë, Gatuzo deklaroi se në këtë periudhë krize është i gatshëm të përfitojë një rrogë më të ulët, nëse kjo do ta ndihmonte klubin. "Falënderoj Gatuzon për faktin se është i gatshëm të sakrifikojë... por, ju kërkoj të mos flasim më për paratë. Nëse vazhdojmë me këto biseda, duket sikur të tjerët janë të pasur, ndërsa Milani është i varfër. Tashmë, nuk do të flas më as për Interin dhe as për para", ishin fjalët e administratorit. Dje, kuqezinjtë festuan ditëlindjen e Ronaldinjos. Fantazisti brazilian u prit me duartrokitje nga shokët e skuadrës, pas stërvitjes së paradites, ndërkohë që klubi kishte porositur një tortë dhe shampanjë cilësore për të festuar. Gjatë pasdites, skuadra u nis drejt Napolit. Edhe Galiani e uroi Ronaldinjon: "Mbushi 29 vjeç, por duket ende një fëmijë".