Berisha: Ministria e mbrojtjes nuk eshte pergjegjese
TIRANË- Kryeministri Sali Berisha është shprehur dje se aktiviteti që zhvillohej në depot e armatimeve afër fshatit Gërdec të Vorës, është një aktivitet tërësisht privat i kompanisë përkatëse. Ndërsa vizitoi të lënduarit që ndodheshin në Spitalin Ushtarak dhe ata në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, Kryeministri nuk i ka shpëtuar dot interesimit të medias lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur dje. Berisha ka pohuar se, problemi i municioneve është një nga problemet më të rënda për vendin dhe përbën një rrezik shumë serioz, por ndërsa është pyetur nga media nëse ka pasur oficerë në depot me municion që shpërthyen, ai theksoi se “mund të ketë oficerë të kontraktuar nga kompania, pasi ky proces ka qenë tërësisht aktivitet privat i kësaj kompanie”. Lidhur me çështjen e municioneve, kreu i qeverisë tha se, autoritetet shqiptare janë duke diskutuar me ekspertë të huaj për të gjetur një zgjidhje përfundimtare, duke qenë se depot janë të shpërndara në të gjithë vendin dhe përbëjnë një rrezik serioz. “Problemi i municioneve në Shqipëri është një nga problemet më të rënda që kemi. Ka një sasi kolosale municionesh, që nga viti 1945 e më pas. Një nga mënyrat për asgjësimin e tyre është çmontimi, por në çmontim, siç e dini dhe ju, ky është aksidenti i dytë, shumë i rëndë, që ka ndodhur. Në çmontim unë nuk mohoj gabimet njerëzore, por vetë vjetrimi i të gjithë mekanizmit të tyre i bën këto municionet të shpërthyeshme. Ky është një problem shumë serioz dhe për fatin e keq, depot janë të shpërndara në mbarë vendin. Ne po diskutojmë edhe me ekspertë të huaj në mënyrë që të mund t’i japim një zgjidhje përfundimtare kësaj sasie kolosale të municionit, e cila përbën një rrezik serioz”,- u shpreh Berisha. Ndërkaq, gjatë vizitave në spital, Kryeministri e cilësoi ngjarjen mjaft të rëndë dhe është shprehur se qeveria është e angazhuar maksimalisht, për të dhënë të gjithë ndihmën e nevojshme për lehtësimin e situatës dhe për t’u ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve të prekur nga kjo ngjarje. “Ne po e kontrollojmë situatën dhe jemi në kontakt me të dërguarit e qeverisë në vendngjarje. U kërkova mjekëve të bëjnë një bilanc dhe ne jemi të gatshëm, në çdo lloj rasti, të japim të gjithë ndihmën që do të nevojitet”,- u shpreh Kryeministri duke përsëritur dhe një herë se qeveria është e gatshme të japë çdo lloj ndihme.