E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandali, në depo punonin edhe 14-vjeçarë

TIRANË- Burra dhe gra aspak profesionistë për t’u marrë me armatimet e rrezikshme luftarake, por njerëz në nevojë, janë zgjedhur nga njerëz të papërgjegjshëm për të çmontuar predha në depon e fshatit Gërdec. Madje, skandali nuk mbaron këtu, pasi në këtë depo kanë punuar edhe 14-vjeçarë për të fituar para për të siguruar bukën e gojës. Këtë e pohojnë njerëz që kanë punuar në këtë depo dhe familjarët e tyre. Kështu, Avni Kurti është një ndër punëtorët, i cili tregon eksperiencën e tij si punëtor në depon e vdekjes. Ndërsa i moshuari Banush Rama tregon se, mbesat dhe dhëndri i tij punonin aty edhe pse ai i kishte këshilluar vazhdimisht se kjo ishte e rrezikshme. “Në atë depo punonin plot 14-vjeçarë dhe unë gjithmonë kam thënë se aty nuk drejtojnë njerëz seriozë dhe të përgjegjshëm se në të kundërt, nuk do të ndodhte kurrë kjo tragjedi”,- pohon Banush Rama. Një tjetër dëshmi rrëqethëse vinte nga një i moshuar që kërkonte djalin e tij. Ai ishte kthyer kohë më parë nga Greqia ku kishte punuar si emigrant dhe për tre muaj me radhë, ishte përpjekur që të hynte në “fabrikën” e çmontimit të predhave. Më në fund, ia kishte arritur qëllimit dhe dje ishte dita e parë e punës. Ajo ishte edhe dita kur ai u shpall i zhdukur mes zjarrit e tymit që pushtoi fshatin Gërdec.
Dëshmitë
Fshatarët e Gërdecit ishin punësuar në fabrikën ku bëhej çmontimi i predhave dhe kjo vetëm me qëllimin për të fituar ato pak para, për të shuar sadopak varfërinë. Pa e ditur aspak se puna e tyre “profesionale” si çmontues predhash do t’u trazonte jetët, banorët e Gërdecit kanë pranuar të punësohen gra, burra dhe fëmijë. “Unë punoja me ditë në atë fabrikë dhe më paguhej 12 mijë lekë (të vjetra) dita. Aty punonin edhe gra dhe adoleshentë, pasi kurrë nuk na e merrte mendja se sa të rrezikshme janë ato predha”,- thotë Avni Kurti duke shtuar se depoja ndodhej fare pranë shtëpive të fshatit. Sipas Avniut, në momentin e shpërthimit nuk ka qenë në punë pasi dje gëzonte ditën e pushimit, por shpërthimi i kësaj depoje e ka plagosur lehtë atë edhe pse ndodhej qindra metra larg saj. Ndërkohë Avniu shpjegon se çmontimi i predhave bëhej pikërisht nga ata, edhe pse nuk ishin aspak profesionist për të realizuar këtë punë. “Mbaheshin arka të tëra që transportoheshin nga vetë ne pa pikën e sigurisë dhe këtë e kanë ditur gjithmonë drejtuesit tanë, ndonëse nuk morën asnjëherë masa”,- pohon Avni Kurti. Ndërkohë ai shpjegon se, nuk di asgjë nëse familja e tij është mirë pasi ata jetojnë në fshatin Gërdec dhe ardhja e çdo ambulance me të plagosur shoqërohet nga shikimi i tij, me frikën se mos aty ndodhet ndonjë nga familjarët e tij.
Depoja
E dinte se nga kjo depo mund të vinte vdekja e shumë personave dhe kurrë nuk ka dashur që njerëzit e tij të punonin aty. Madje, ai u ishte lutur dy mbesave të tij dhe dhëndrit që të mos punonin në atë depo, se një ditë do të bëhej hataja, dhe në fakt kështu ndodhi. “Unë jam i moshuar dhe në kohën time, kur çmontohej ndonjë predhë, merrnin pjesë vetëm profesionistë dhe kjo bëhej larg zonave të banuara. Ma merrte mendja se falë këtij organizimi skandaloz për të çmontuar predha burrat, gratë dhe fëmijët, do të vinte kjo tragjedi që na këputi zemrat të gjithëve”,- thotë Banush Rama, i cili për këtë ngjarje të dhimbshme fajëson qeverinë, që lejon që në vendin tonë të bëhet një kasaphanë e këtij lloji.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›