Spitali Ushtarak, ku tragjedia flet me gjuhën e gjakut
TIRANË- Njerëz të gjymtuar dhe fytyra të mbuluara në gjak, sa vështirë të identifikoheshin. Ndërsa të tjerë të lemerisur në kërkim të familjarëve të tyre, të cilët nuk e dinë nëse i kanë shpëtuar shpërthimit të tmerrshëm në fshatin Gërdec. Madje tragjedia i ka kaluar kufijtë e emergjencës, sa është pak ta quash luftë pasi personat e dëmtuar nga shpërthimi kanë pushtuar Spitalin Ushtarak, duke e vendosur personelin mjekësor përballë një situate të paprecedent.
***
Kjo ka qenë situata në Urgjencën e këtij spitali, që ka pritur dje më shumë se 100 persona të plagosur. Ndërkohë të lënduarit e tragjedisë pohojnë se shpërthimi ishte aq i tmerrshëm sa pasojat kanë qenë fatale për shumë njerëz që punonin në depon e fshatit Gërdec. “Çfarë është kjo fatkeqësi që na ndodhi e na copëtoi zemrën! Nuk mundem ta besoj se na u plagosën njerëzit dhe shtëpia na u shkatërrua nga ai shpërthim i mallkuar”,- tha Bedria, banore e fshatit Gërdec. Ndërsa personeli shëndetësor i Spitalit Ushtarak pohon se janë gjendur përballë një fluksi të madh pacientësh, që po iu jepet ndihmë në kushte emergjente. “Po i vendosim të plagosurit mbi tavolina, se nuk kemi ku t’u japim ndihmë pasi shtretërit janë plot”,- pohojnë mjekët e Spitalit Ushtarak. Ata kanë bërë të pamundurën duke u marrë me secilin pacient, një nga një. Një situatë e ngjashme me një betejë të Luftës së Dytë Botërore. Tmerr!
***
Ulërimat, lotët dhe trishtimi kanë pllakosur dje, për disa orë, oborrin e Spitalit Ushtarak i cili është mbipopulluar me njerëz që vinin të kërkonin ndihmë mjekësore për të shpëtuar jetën. Por trishtimi kalon çdo kufi, kur kjo tragjedi nuk kursen as fëmijët, ku janë sjellë me dhjetëra të lënduar pikërisht për shkak të shpërthimit tepër të fuqishëm në depon e municioneve në Gërdec. Kështu, makina me xhama të thyer sillnin në çdo moment të plagosur nga shpërthimi ndërsa sirenat e ambulancave të ngjallnin trishtim, pasi ato shfaqeshin me shpejtësi maksimale duke transportuar të lënduarit rëndë. Në ndihmë të të plagosurve janë vendosur edhe helikopterët ushtarakë dhe civilë, për të shpëtuar sa më shumë jetë njerëzish. “As në filmat me luftë nuk i kemi parë këto skema llahtarie. Shikojini vetë fëmijët e larë në gjak, që janë dëmtuar nga ai shpërthim i mallkuar që trazoi jetën tonë”,- thotë Përparimi, një nga të mbijetuarit që po punonte në depon e Gërdecit. Por ajo ç’ka ka shokuar akoma më shumë të pranishmit në Spitalin Ushtarak ka qenë një nuse e veshur me fustanin e nusërisë, e cila është shfaqur me fytyrë të trishtuar dhe zbathur. Madje, fustanit të bardhë i ka hedhur sipër një këmishë të zezë e cila, më shumë se një mbulesë, duket që ka shërbyer për të simbolizuar një ditë zie. Ajo nuk kishte të veshura as këpucët dhe kishte rendur për një kohë të gjatë në këmbë e më pas me makinë, derisa ka mbërritur në spital e shoqëruar edhe nga një pjesë tjetër e dasmorëve. Vetë nusja ka treguar se lokali ku po zhvillohej dasma ka qenë afër depos ku ndodhi shpërthimi dhe, për fat të mirë, nuk ka pasur asnjë të dëmtuar mes dasmorëve.