Presidenti: Do mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare
TIRANË- Presidenti i Republikës, Bamir Topi do të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare, për të shqyrtuar situatën e rëndë të krijuar nga shpërthimet në fshatin Gërdec dhe për të analizuar shkaqet e kësaj ngjarjeje të jashtëzakonshme. Pas vizitës që i bëri dje të plagosurve të shumtë në Spitalin Ushtarak, presidenti Topi njoftoi se, menjëherë pas kapërcimit të fazës së emergjencës, do të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Në një njoftim të zyrës së shtypit të Presidencës bëhet e ditur se, qëllimi i kësaj mbledhjeje do të jetë shqyrtimi i situatës tejet të rëndë, si dhe analizimi i shkaqeve të ngjarjes së ndodhur dje ne Gërdec. Në këtë mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare pritet të merren vendime për të përballuar pasojat, pra, të merren masat e duhura, e sidomos ato masa që do të parandalojnë situata të tilla në të ardhmen. Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme, Presidenti ka qenë i pranishëm tek të plagosurit e shtruar në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Teuta Topi. Duke i uruar të plagosurve një shërim të shpejtë, presidenti Bamir Topi i ka siguruar familjarët e tyre që, të gjitha strukturat shtetërore do të punojnë me profesionalizëm dhe kujdes për kapërcimin e situatës së krijuar nga shpërthimi tragjik i Gërdecit, pranë Vorës. Kreu i shtetit ka bërë thirrje për qetësi pasi, sipas tij, të gjitha strukturat e shtetit janë në këmbë dhe po punojnë për administrimin dhe stabilizimin e situatës. “Kjo situatë natyrisht është e rëndë, por është nën kontroll. Ne duhet t’u krijojmë korridore të lira ambulancave, forcave të policisë, njerëzve që kanë nevojë dhe sigurisht, situatat e rënda dhe të vështira kalohen me një solidaritet, kalohen me një bashkëpunim, kalohen me qetësi. Në të tilla situata, asnjëherë nuk duhet të krijojmë panik, situata është duke u kontrolluar nga të gjitha institucionet e shtetit. Ju jeni vetë dëshmitarë, që të gjithë janë në këmbë, janë të motivuar që ta përballojnë këtë situatë hap pas hapi. Mendoj që nuk ka vend për panik, duhet patjetër qetësi. Ky është mesazhi im! Pastaj, për të gjitha të tjerat do të komunikojmë hap pas hapi edhe për takime midis institucioneve, por momenti i parë është që duhet të njihet situata. Është kjo një situatë e alarmit momental, që gradualisht do të qetësohet”,- është shprehur Presidenti pas një vizite në Spitalin Ushtarak.