Berisha: Opozitë kryesore njoh PS, heshtje nga Rama
Kryeministri Sali Berisha ka reaguar dje nga Brukseli lidhur me grevën e urisë së dhjetë deputetëve. Sipas tij, marrja e një anëtari të komisioneve të votimit nuk zgjidhet me greva urie. “Duke shprehur respektin për vendimin e gjithsecilit, më duhet të them se anëtarët e Komisionit Zgjedhor në qoftë se caktohen në këtë mënyrë, nëpërmjet grevës së urisë, mendoj se nuk do të ishte e mundur”, u shpreh Berisha. Kryeministri konfirmoi edhe njëherë qëndrimin se është i detyruar që bashkëpunimin ta ketë me Partinë Socialiste, pasi atë sipas kreut të qeverisë në atë pozicion e ka vendosur elektorati. “Ata kanë pasur çdo rast për të qenë dhe kanë qenë në komision, sërish në Parlament do të shkojë ligji, por unë e kam theksuar dhe e theksoj se jam në qeveri dhe me të gjithë Kodin e rregullave, sepse nuk jam që zgjedh opozitën, atë e zgjedh populli, ashtu siç zgjedh edhe qeverinë dhe populli shqiptar ka përcaktuar opozitë kryesore Partinë Socialiste dhe është jashtë çdo lloj mundësie që unë të veproj nëpërmjet faktorëve të tjerë opozitarë në dëm të partisë kryesore opozitare. Kjo është e pamundur për mua”, tha Berisha. Ndërkohë PS-ja ka vazhduar të heshtë edhe gjatë ditës së djeshme lidhur me grevën e dhjetë deputetëve.