Tragjedia e Karaburunit, ekstradohen nga Italia dy skafistët
Tiranë- Interpol Tirana ka ekstraduar sot nga Italia dy shtetas shqiptarë pasi janë përgjegjësit e tragjedisë së Karaburunit dhe për këtë ata janë dënuar në mungesë.
Më konkretisht janë arrestuar shtetasit Altin Belulaj, vjeç 32, lindur në Vlorë, dhe Cukal Mhill Delija, vjeç 43, lindur në Kajvall, Shkodër.
Sipas policisë Belulaj është dënuar nga Gjykata e Vlorës me 25 vite burg në vitin 2005 pasi mbi të rëndon akuza e Kalimit të paligjshëm të kufirit” dhe “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm kufiri”. Ndërsa Delija është dënuar me 15 vite burg për kryerjen e veprës penale të “Dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”.
Këta dy shtetas janë shpallur fajtorë pasi në bashkëpunim me shtetas të tjerë, kanë organizuar trafik të paligjshëm të qenieve njerëzore duke iu premtuar personave të ndryshëm kalimin në Itali kundrejt shumës 1500 euro për person.
Nën organizimin e tyre, më datë 09.01.2004, një gomone me 36persona në bord, e nisur nga Vlora drejt Italisë, është përmbysur pranë gadishullit të Karaburunit dhe si rrjedhojë 21 persona kanë gjetur vdekjen.
Në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas shtetasit e mësipërm i janë dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.