E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedia e Otrantos në 13-vjetor, lule në det

VLORË - Kanë kaluar 13 vjet nga ajo që mund të quhet edhe një nga tragjeditë e mëdha të ndodhura në vend, Tragjedia e Otrantos, e cila ka shënuar një numër të lartë viktimash, mes të cilëve fëmijë, gra të rinj e burra. Pikërisht kjo tragjedi është përkujtuar në Vlorë, në 13-vjetorin e saj ditën e diel.


Familjarë të viktimave kanë hedhur buqeta me lule në det, në shenjë përkujtimi të familjarëve që kanë humbur në tragjedinë e 13 viteve më parë. Ata vijojnë të kërkojnë drejtësinë e munguar në këto vite, ndërkohë që apeli i është drejtuar shtetit shqiptar, me qëllim të ndikojë në dëmshpërblimin e familjeve të këtyre viktimave dhe vënien në vend të drejtësisë.


Edhe pas kaq shumë vitesh, familjarë të 57 viktimave të konfirmuara dhe 24 të humburve vazhdojnë të sorollaten, ndërkohë që çështja ka kaluar nga gjyqësori italian në atë shqiptar, madje po bëhen përpjekje që çështja të çohet në Gjykatën e Hagës.


Tragjedia e Otrantos e ka zanafillën e saj rreth orës 15:00 të datës 28 mars të vitit 1997, ditë në të cilën rreth 115 shtetas shqiptarë hipën në anijen "Katri i Radës" dhe iu drejtuan brigjeve italiane për një jetë më të mirë. Por vetëm katër orë më vonë mësohet se një goditje e anijes luftarake italiane "Sibila" ka bërë që "Katri i Radës" të cachet, ndërkohë që të gjithë njerëzit që ndodheshin në të, të përfundojnë në ujë.


Prej tyre arritën të mbijetonin vetëm 34 vetë. 57 ishin trupat që u arritën të nxirreshin nga deti, ndërkohë që 24 të tjerë nuk u gjetën kurrë. Familjarët filluan luftën për të zbardhur të vërtetën e kësaj tragjedie, një e vërtetë që pas 13 vjetësh mbetet ende në kanalin e Otrantos.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›