E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hapet "me pagesë" tuneli i Kalimashit

KUKËS/ Pavarësisht urdhrit për mbylljen dhe vijimin e punimeve, paratë nën dorë e kanë bërë të frekuentuar tunelin


Kukës - Tuneli i Kalimashit në ditët e mungesës së menaxherit turk Salih Alkan është shndërruar në parajsë për punonjësit e "Bectel&Enka" që shërbejnë tek trau i tunelit, madje edhe për ndonjë punonjës të policisë që shërben në tunel.


Largimi me leje të shkurtër për në Turqi i menaxherit të tunelit ka bërë që kalimet përmes tunelit të Kalimashit të jenë të përditshme dhe të shumta, ku krahas korrupsionit dhe privilegjimit të personave të veçantë që kanë pushtet, shkelen haptas rregullat e sigurimit teknik.


Mjafton të jesh i besuar dhe të paguash diçka nën dorë, dhe punonjësi që qëndron tek trau i tunelit, që në të shumtën e rasteve është shtetas turk, por në ndonjë rast është edhe nga Kosova, dhe fare mirë mund të udhëtosh shkurt përmes tunelit.


Udhëtimi përmes tunelit është bërë i zakonshëm këto ditë edhe për pushtetarët dhe personat e lidhur me ta, biznesmenët, madje tuneli ka qëndruar i hapur para dy javësh edhe për një grup dasmorësh që shkonin në Tiranë në dasmën e djalit të një biznesmeni të njohur. Ndërkohë, mund të kalosh fare lehtë në tunel nëse në automjetin tënd ke të vendosur një fenelinë policie.


"Policia është shteti" justifikohen rojet e traut kur një automjet tip "Fuoristrada" me fenelinë policie kalon tubin verior në portalin e veriut për në drejtim të Kukësit në po të njëjtën ditë. Menjëherë pas automjetit të policies, tunelin nga Thirra për në Kukës e kalon një autoveturë tip "Volksvagen Jetta" me targë të Kosovës. I pyetur drejtuesi si me bezdi përgjigjet: "Si kalova....


Po ja, pagova diçka dhe kalova". Përsa i përket dasmorëve, rojet deklarojnë se i zoti i dasmës ka marrë leje "atje lart" pa treguar institucionin qendror që kishte dhënë leje. Megjithatë, të vetmit që mund të japin leje dhe që gjenden "lart" janë Ministria e Transporteve apo Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve.


Personat që kalojnë tunelin "kontrabandë" e realizojnë kryesisht në kohën e ndërrimit të turneve në ora 07:00 mëngjes dhe 19:00 në darkë. "Këto ditë është liruar kalimi se nuk ndodhet këtu Salih Alkan. Atij ia kanë frikën", pohon një polic privat, i cili thotë se nuk ka asnjë përgjegjësi për kalimin në tunel, pasi përgjegjësia e tij është të ruajë materialet që të mos i vjedhin.


Ndërkohë që tek kioska që shërben punonjësi i policisë, ndodhet një letër e shkruar me kompjuter ku janë të regjistruar gjashtë emra funksionarësh lokalë dhe drejtues të institucioneve të drejtësisë në Kukës dhe përbri tyre janë të shënuara targat e automjeteve. "Këta persona janë të ligjëruar të qarkullojnë me automjetet e tyre, por vetëm një herë në javë.


Por ata nuk e zbatojnë këtë rregull dhe ne jemi të detyruar t'i lejojmë pasi na bëjnë presion", thotë polici roje.


Kalimet përmes tubit verior të tunelit të Kalimashit janë realizuar prej kohësh për persona të veçantë apo për raste të veçanta. Këto kalime janë bërë me miratimin e menaxherit të tunelit, Salih Alkan.


Personat që kanë kaluar në tunel kanë qenë kryesisht funksionarë shtetërorë qendrorë dhe lokalë, por edhe persona që kishin lidhje me punonjës të kompanisë "Bechtel&Enka" apo punonjës të policisë. Sipas menaxherit të tunelit, Salih Alkan, në disa raste kur nuk pengohej puna kishte lejuar të kalojnë përmes tunelit vetëm trupat e pajetë të njerëzve që kanë vdekur në spitalet e Tiranës apo të semurët rëndë dhe kjo ndodhte vetëm në orët kur ndërroheshin turnet. Gjithsesi, mund të thuhet se tashmë tuneli i Kalimashit është sërish i hapur, këtë radhë me pagesë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›