Kombet e Bashkuara, ndihmë për Gërdecin
Kombet e Bashkuara ofrojnë ndihmë në përgjigje të tragjedisë së Gërdecit. Një ekip i specializuar i Kombeve të Bashkuara ka mbërritur në Tiranë me kërkesë të qeverisë shqiptare, pas shpërthimit masiv të një depoje armësh në Gërdec. Ekipi përbëhet nga ekspertë të vlerësimit të fatkeqësive dhe koordinimit të Kombeve të Bashkuara dhe zyrës së Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare. Ekipi do të punojë me qeverinë shqiptare për të bërë një vlerësim të shpejtë të nevojave prioritare pas shpërthimit në Gërdec, ku 21 vetë humbën jetën dhe shumë të tjerë u plagosën. Gjatë një misioni dyjavor, ekspertët e Kombeve të Bashkuara gjithashtu, do të mbështesin autoritetet shqiptare në çështje të planifikimit strategjik dhe koordinimit të mbështetjes ndërkombëtare. Ekipi do të përbëhet nga gjashtë anëtarë, ekspertë të planifikimit civil të emergjencave, komunikimit, logjistikës, të koordinimit dhe menaxhimit të emergjencave, si dhe ekspertë të vlerësimit të impaktit mjedisor. "Kombet e Bashkuara janë të gatshme të asistojnë Shqipërinë përgjatë tragjedisë", tha Gülden Türköz-Cosslett, përfaqësuesja e përhershme e PNUD-it dhe koordinatore e agjencive të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri.