Tragjedia ne Gjirokaster, ndihma për 14 familje
GJIROKASTËR Këshilli Bashkiak i Gjirokastrës ka vendosur të akordojë 5.600.000 lekë për familjet që humbën shtëpitë nga shembja e pallatit në lagjen "11 Janari" të Gjirokastrës, në nëntor të vitit të kaluar. Në buxhetin e Bashkisë për vitin 2009 është planifikuar dhe miratuar një fond për emergjencat, për t'u ardhur në ndihmë pjesëtarëve të familjeve të dëmtuara. Kjo me qëllim që të mbulohet një pjesë e dëmit të shkaktuar nga rrëzimi i ndërtesës 5-katëshe. Janë gjithsej 14 familje që do të ndihmohen financiarisht nga Bashkia. Secila prej tyre do të përfitojë një shumë prej 400 mijë lekësh. Në listën e familjeve që përfitojnë këtë shumë përfshihet edhe ajo e Leonard Mustafarait. Gjatë tragjedisë së nëntorit të vitit të kaluar, ai humbi banesën e tij private në afërsi të pallatit të shembur. Shtëpia ishte në përfundim e sipër, por nuk u përfshi në listat e banorëve të pallatit që përfituan fond për blerje banesash nga qeveria. Dëmi material i përcaktuar nga komisioni për shtëpinë e familjes Mustafarai kap vlerën e 4 milionë lekëve. Pavarësisht vlerësimit të komisionit, qeveria nuk e mori fare në konsideratë dëmin material që pësoi kjo familje. Po dje, Këshilli Bashkiak i Gjirokastrës vendosi të trajtojë me ndihmë financiare prej 5 mijë lekësh, për një periudhë 1-vjeçare edhe fëmijën Erges Dalani. Në tragjedinë e nëntorit, kryefamiljari Jetnor Dalani humbi vajzën 13-vjeçare dhe bashkëshorten, ndërsa mundi të shpëtojë ai vetë dhe djali i tij, Ergysi. Kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime pohoi se gati të gjitha familjet që humbën banesat nga shembja e pallatit, janë stabilizuar me banesa të reja. Sipas kryebashkiakut, Flamur Bime fondi prej 400 mijë lekësh që akordon institucioni që ai drejton për secilën nga 14 familjet, do të jetë një ndihmë e mirë për blerje pajisjesh dhe orendish shtëpiake.
(s.g/GSH/BalkanWeb)