E Diel, 1 Nëntor 2026

Ina Rama: Nuk gjetëm prova për akuzën e transplanteve

 

BURREL/ HASAN PASHA

Kryeprokurorja Ina Rama pohoi dje për herë të parë zyrtarisht se asnjë provë nuk është gjetur në fshatin Gurrë të Matit për të konfirmuar akuzën e Karla del Pontes, ish-kryehetuesja e Hagës. Ajo ndodhej dje në Burrel, për të inauguruar përfundimin e punimeve për ndërtesën e rikonstruktuar të Prokurorisë së Matit. Fillimisht, Rama është pritur nga drejtuesit e organit të akuzës në këtë rreth si dhe autoritetet vendore të Burrelit. Pas prerjes së shiritit të godinës së re ajo falënderoi prokurorin e Matit, Lazër Çardaku për miradministrimin e fondit prej 5.2 milionësh të Prokurorisë së Përgjithshme dhe ndryshimin e gjendjes në këtë objekt të rëndësishëm. Në një prononcim për mediat ajo pranoi t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve, por duke evituar çështjen “Mediu”.
Prokuroria e Matit, ndryshe nga ato të rretheve të tjera ka hapur dosjet e vitit 1997, madje po vihen para drejtësisë shumë persona që kanë kryer krime. Cili është komenti juaj?
Vërtet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Mat është bërë një punë e mirë në lidhje me dosjet e ngjarjeve të vitit 1997. Është bërë një punë e mirë pas ndryshimit të drejtuesve të kësaj prokurorie. Ne e vlerësojmë pozitivisht punën e prokurorëve, si dhe bashkëpunimin me Gjykatën e Matit. Në të shumtën e rasteve është vepruar drejt, me profesionalizëm dhe përkushtim. Kjo punë e mirë ka gjetur e do të gjejë edhe mbështetjen e Prokurorisë së Përgjithshme. Kështu si kemi nisur jam e sigurt se do të ecim përpara.
Zonja Rama, në asnjë rast nuk jeni shprehur në lidhje me akuzat e Karla del Pontes për transplantim e organeve të serbëve në Gurrë të Matit?
Pavarësisht se personalisht nuk kam dalë në media ka pasur një prononcim zyrtar të shtetit shqiptar. Prokuroria e Përgjithshme ka nisur një proces verifikimi pas pretendimeve të prokurorëve të Hagës. Nga ai proces verifikimi nuk rezulton asgjë e vërtetë në lidhje me akuzat e hedhura për transplant të organeve. Ne nuk kishim asnjë provë për të nisur një proces penal. Kishim një situatë të tillë që nuk kishim të dhëna të mjaftueshme se vërtet ka ndodhur ajo që pretendonin hetuesit e huaj. Pavarësisht se nuk është thënë me figurë e zë ka pasur një qëndrim të shprehur qartë.
A do të rihapet çështja “Gërdeci” dhe a do të vihet para drejtësisë ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu?
Nuk jam sot në qytetin e Burrelit për t’u prononcuar në lidhje me këtë pyetje. Qëllimi i vizitës time është inaugurimi i rikonstruksionit të godinës së prokurorisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›