Abuzimet me pronat në Gjirin e Lalëzit, nis hetimi
Dy kallëzime të reja në prokurori ndaj ish-kreut të AKKP-së Vatnikaj, nga përfaqësuesit e familjes Preza dhe Pici
Sipas denoncimeve, abuzimet janë kryer në zonën bregdetare në Gjirin e Lalëzit dhe në një ish- repart ushtarak në Tiranë
TIRANË- Pas skandalit të tjetërsimit të 48 hektarëve tokë në zonën e njohur si "Gjiri i Gjeneralit" në komunën Synej të Kavajes, për të cilën akuzohet ish-drejtuesi i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Tunxh Vatnikaj dhe disa persona të tjerë, prokuroria ka nisur një tjetër çështje ku ai është i hetuar.
Sipas burimeve zyrtare pranë Prokurorisë së Përgjithshme, mësohet se kallëzimet në prokurori ndaj Vatnikajt dhe bashkëpunëtorëve të tij janë depozituar nga familja Preza për disa prona në Gjirin e Lalëzit në rrethin e Durrësit, si dhe nga familja Pici për një pronë në kryeqytet.
Nga verifikimi i dokumentacioneve të deponuara bashkë me kallëzimet, rezulton se Vatnikaj me të njëjtën strategji të "tjetërsimit dhe vjedhjes" së 48 hektarëve tokë në zonën e "Gjirit të Gjeneralit", ka tjetërsuar dhe ndryshuar pronarët në zonën e njohur si Gjiri i Lalëzit me rreth 73 hektarë tokë të familjes Preza.
Sipas burimeve zyrtare nga organi i akuzës, theksohet se në kallëzimin e depozituar nga familja Preza, që ndodhet në duart e prokurorit Gurakuqi, abuzimi në zonën e Gjirit të Lalëzit është rreth 730 mijë metra katror.
Kjo pronë prej 73 hektarësh, që ndodhet në bregun e detit si pjesë e 120 hektarëve tokë të familjes Preza, i është dhënë një familjeje tjetër, e cila kishte dy parcela të emërtuara "Rrume" dhe "Kaleme" me sipërfaqe respektive 599 dynym dhe 125 dynym të ndodhura në fshatin Lalëz- Rrotull të komunës së Ishmit, larg bregut të detit. Por, me anë të falsifikimit të dokumenteve dhe mashtrimit, 73 hektarë tokë nga 120 hektarë që ndodhej e regjistruar në emër të familjes Preza, i ka kaluar me vendim të AKKP-së një familjeje tjetër, që nuk e kishte pronën e vet në atë zonë ku i ishte dhënë.
Sipas prokurorisë, vlera monetare e 73 hektarëve tokë të "vjedhur" nga prona e familjes Preza kap shifrën e rreth 92 milionë euro. Mësohet se kjo pronë e tjetërsuar kap një sipërfaqe prej 724.500 m2, me një vendosje gjatësore 2.900 metra dhe me gjerësi rreth 250 metra. Të dy këto parcela, që realisht sipas dokumentacioneve arkivore janë shumë larg bregut të detit dhe jo siç janë vendosur tashmë në pyllin e pishave të Gjirit të Lalëzit, i krijuar gjatë viteve 1967 në mënyrë vullnetare nga pyjorja e Durrësit.
Mësohet nga kallëzimi, se kjo pronë prej 120 hektarë tokë e familjes Preza ndodhej nën emrin e tyre që nga viti 1750- 1800 sipas dokumenteve arkivore dhe që nga viti 1923 figuronte edhe në hartat e çifligut të tyre në këtë zonë. Sipas prokurorisë, dyshohet se për vjedhjen e kësaj prone përveç ish-kreut të AKKP- së, Vatnikaj, janë në hetim edhe persona të tjerë, që kanë bashkëpunuar në vjedhjen dhe tjetërsimin e kësaj prone, si punonjës të zyrës së AKKP-së Durrës dhe qendër Tiranë, punonjës të zonës kadastrale në Durrës dhe specialistë të tjerë të Hipotekave si në qytetin bregdetar ashtu edhe në kryeqytet.
Gjithashtu, mësohet se kallëzimi i dytë i drejtuar ndaj ish-kreut të AKKP-së, Vatnikaj, dhe bashkëpunëtorëve të tij, ka të bëjë me kalimin e 6 hektarëve tokë të pronarëve të familjes Pici në zonën e Kodrës së Priftit, që pas vitit 1944 është ndërtuar një repart ushtarak ku është shfrytëzuar për magazina të Forcave të Armatosura të Ushtrisë.
Por pas vitit 1991 kjo pronë është lënë e lirë nga ana e Forcave të Armatosura dhe vetë institucioni i Ministrisë së Mbrojtjes e cila është shprehur se "Ministria e Mbrojtjes nuk ka pretendime për këtë pronë dhe duhet t'iu kthehet pronarëve".
Me vendim të AKKP-së së drejtuar Tunxh Vatnikaj, kjo pronë me anë të falsifikimit të dokumenteve është copëzuar duke ia shpërndarë personave të ndryshëm. Më parë, prokuroria e Tiranës pas hetimeve pesë mujore arriti të zbardhë të gjithë skemën e vjedhjes së 48 hektarëve tokë në zonën e "Gjirit të Gjeneralit", ndërsa ditët e fundit ka pranuar për hetim edhe dy kallëzime të tjera ndaj ish- kreut të AKKP-së Vatnikaj dhe bashkëpunëtorëve të tij, të cilët dyshohen se kanë kryer abuzime me pronat në zonën bregdetare të Durrësit dhe në periferi të Tiranës.
TIRANË- Njësia e task-forcës pranë prokurorisë së Tiranës, e ka njohur paraditen e djeshme ish-kreun e AKKP-së Tunxh Vatnikajn me aktet hetimore të abuzimit me pronat në komunën Synej të Kavajës, në zonën e quajtur Gjiri i Gjeneralit.
Ky fakt bëhet i ditur nga burimet zyrtare pranë organit të akuzës, të cilët shtuan se bashkë me Vatnikajn paraditen e djeshme është njohur edhe i pandehuri Ali Aliu me aktet hetimore dhe kërkesën për gjykim, që brenda javës do të përfundojë pranë duarve të gjyqtarëve penalistë të Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet.
Ndërsa, gjatë ditës së sotme, pritet që pranë organit të akuzës të paraqiten për tu njohur me aktet hetimore dhe mbylljen e dosjes edhe 8 të pandehurit e tjerë të kësaj dosjeje të cilët tashmë janë marrë të pandehur për vjedhjen e 48 hektarëve tokë.
Gjithashtu, gjatë paradites së sotme pritet që pranë Gjykatës së Apelit të kryeqytetit të shqyrtohet ankimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë që ndaj ish-kreut të AKKP-së Vatnikaj, e ka caktuar masën e sigurisë "detyrim për paraqitje" pranë institucionit të akuzës në Tiranë.