E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedia në Itali, familja në Lezhë hap dyert

Ndue Ndoj rrëfen se nuk kanë pasur asnjë konflikt me familjen e dhëndrit dhe se vrasja ishte e pakuptueshme për ta


LEZHË - Asnjë konflikt me familjen. Madje vrasësi është sjellë shumë mirë me vajzat e tij dhe me mbesën gjithashtu. Kjo është dëshmia e dhënë nga babai i Rina dhe Ornela Ndojit, njëkohësisht gjyshi i 3-vjeçares së vrarë, ashtu si e ëma dhe tezja, nga xhaxhai i saj 24-vjeçar ditën e shtunë në Pavia të Italisë.


Ndue Ndoj rrëfen se nuk arrin t'i japë asnjë shpjegim fatkeqësisë së ndodhur, ndërsa familja e tij ka hapur dyert për mort në pritje të mbërritjes së trupave të viktimave nga Italia.


Në lagjen SMT të Lezhës të gjithë janë veshur me të zeza, teksa janë ulur në tavolina rrotull një fotoje ku janë dy vajzat e familjes dhe mbesa e tyre 3-vjeçare. Dyert janë hapur, teksa njerëzit hyjnë e dalin. Pritja lexohet në fytyrat e gjithsecilit, ndërsa dhimbja është akoma më e madhe.


Edhe në Kurbin, aty ku jetojnë prindërit e Antonit dhe Alfredit, familja Mëlyshi ka hapur dyert e mortit. Ndërkaq mësohet se dje ata kanë qenë tek familja Ndoj e nuses së tyre në Lezhë për ngushëllim pas bisedimeve që kanë kryer kryepleqtë në bazë të zakonit të këtij rrethi.


Sipas rrëfimeve nga anëtarë të të dyja familjeve, ato kanë kaluar shumë mirë me njëra-tjetrën dhe nuk kanë pasur asnjë mosmarrëveshje. Nga ana e familjes Mëlyshi është kërkuar që trupat e pajeta të viktimave të qëndrojnë të paktën dy orë në shtëpinë e tyre dhe pastaj të nisen për në Lezhë dhe, me sa duket, familja Ndoj e ka pranuar këtë kërkesë. Nga ana e familjes Mëlyshi nuk është pranuar të komentohet kjo ngjarje e rëndë, vrasje e kryer nga djali i tyre.


Babai i Rinës dhe Ornelës, Ndue Ndoj është shprehur për mediat se ka qenë krejt e papritur ajo që ndodhi. Kjo sepse vrasësi nuk ka paraqitur ndonjëherë shenja acarimi, madje ai i ka mirëtrajtuar vajzat e tij, po ashtu dhe mbesën.


Babai u shpreh se nuk arrinte ta kuptonte se si 24-vjeçari kishte arritur të kryente një vrasje të tillë makabre. Ai tha se në Itali kishte shkuar edhe gruaja e tij, Roza, pas një vize turistike të dhënë nga konsullata italiane në Shkodër.


"Sapo ka zbritur tek stacioni i trenit në Itali për të vajtur tek vajzat e saj ka marrë vesh edhe lajmin e kobshëm të vrasjes së mbesës trevjeçare dhe dy vajzave, ngjarje e cila kishte ndodhur vetëm 10 minuta më parë, - rrëfeu Ndoj. - Ne e kemi dashur dhëndrin dhe vëllanë e tij si fëmijët tanë dhe na është dukur e pabesueshme kjo gjë.


"Nuk kam asgjë me familjen e dhëndrit, as me dhëndrin momentalisht, pasi presim të sqarohen rrethanat e krimit ndaj do të ruaj të njëjtat raporte si më parë me familjen e Alfredit", u shpreh Ndue Ndoj.


Ndërkaq ai i ka drejtuar disa thirrje qeverisë shqiptare për sjelljen e shpejtë të trupave të pajetë të dy vajzave dhe mbesës së tij, qeverisë greke për të ndihmuar në dhënien e vizave për njerëzit e tij që i ka në proces të hartimit të dokumenteve atje, si dhe policisë së Lezhës për shoqërimin e tre arkivoleve në momentin që ato do të rikthehen në atdhe. Mësohet se ambasadori shqiptar në Itali, Llesh Kola, ka ngarkuar konsullin tonë në Milano për të përshpejtuar procedurat e sjelljes së trupave të pajetë në Shqipëri.


Rina Mëlyshi, vajza e saj 3-vjeçare dhe motra e saj Ornela Ndoj u vranë me thikë ditën e shtunë nga kunati i saj Alfred Mëlyshi. Sipas policisë italiane, shkak për vrasjen kanë qenë mosmarrëveshjet mes dy vëllezërve.


Mësohet se Alfredi 24-vjeçar jetonte në shtëpinë e vëllait të tij Antonit. Ky i fundit së bashku me nusen e tij Rinën kishin kërkuar që kunati të largohej për shkak se e shikonin si mollë sherri për konfliktet që kishin me fqinjët shqiptarë. Në momentin e transferimit për në spitalin e burgut mësohet se Alfredi është shprehur për vrasjen se ky ishte vullneti i Zotit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›