Shkaqet, kushtet e vështira ekonomike dhe mentaliteti paragjykues Bashkia Kamzë, mbi 330 fëmijë braktisin shkollat
Braktisja e shkollës është bërë një "fenomen në modë" tashmë, por jo vetëm për zonat e thella të vendit. Bankat e të miturve kanë filluar të boshatisen edhe shumë pranë kryeqytetit. Dhe pikërisht në periferi të tij, në territoret e populluara nga banorë që kanë migruar gjatë dhjetëvjeçarit të fundit në Tiranë. Më e goditura ndër zonat informale rreth e rrotull kryeqytetit nga fenomeni i largimit të fëmijëve dhe të të rinjve nga shkolla është Bashkia e Kamzës. Sipas statistikave në sektorin e arsimit të kësaj bashkie, në mënyrë të veçantë e goditur nga braktisja e shkollës është Bathorja. Janë plot nëntë shkolla 9-vjeçare dhe të mesme në të gjithë territorin e Bashkisë së Kamzës, në të cilat regjistrohen mungesa pa limit për të vegjlit apo të rinjtë që duhet të frekuentonin mësimin e përditshëm.
Numri total i braktisjeve të institucioneve shkollore në këtë zonë arrin në rreth 330 fëmijë, të cilët më pas nuk është shumë e vështirë që t‘i gjesh në rrugë duke lypur, apo duke shitur cigare dhe kancelari të tjera për të fituar pak para. Numri total i fëmijëve që mësojnë në institucionet arsimore të Bashkisë së Kamzës është plot 14 mijë veta.
Varfëria konsiderohet si një ndër shkaqet kryesore të braktisjes së shkollës për drejtuesit e pushtetit vendor në këtë zonë. Por, pas nuk mbetet as mentaliteti apo prapambetja intelektuale, sidomos në rastin e femrave, të cilat me koshiencë të plotë largohen nga shkolla pas urdhrit të familjarëve.
Sipas punonjësve socialë, të cilët janë marrë me vlerësimin e këtij fenomeni në tërësi, konstatohet fakti se shumë prej këtyre fëmijëve nuk duan që të largohen nga shkollat, por ata e kanë të pamundur frekuentimin e tyre, pasi detyrohen të punojnë që në moshë të mitur për shkak të vështirësive të mëdha sociale në të cilat gjenden familjet e tyre.
Po kështu, ata pohojnë se në familjet e varfra në këto zona me një numër relativisht të madh të fëmijëve, jo të gjithë arrijnë që të përfitojnë arsimimin e duhur, ndonëse detyrimi i prindërve për të çuar fëmijët në shkollë deri në përfundimin e ciklit 9-vjeçar është i detyrueshëm. Në përputhje me ligjin për arsimin parauniversitar, bëhet e qartë edhe vendosja e penaliteteve për prindërit që u pengojnë fëmijëve të tyre të drejtën për t‘u arsimuar pranë institucioneve publike të arsimit. Madje, ligji parashikon edhe gjoba për raste të tilla. Por duket se ligji në disa zona bëhet vetë nga banorët dhe ai i shtetit jo vetëm që nuk aplikohet, por as nuk konsiderohet prej tyre.
Aktualisht, në shkollat Zall Mner i Ri, 9-vjeçarja "Niko Avrami" në Valias, shkolla e Kamzës, ajo e Kamzës së Re, Bathore 1, Bathore 2, shkolla e Laknasit, Valiasit dhe Bulceshit numërojnë nxënës të larguar, që variojnë nga 16 deri në 57 të tillë. Numrin më të lartë të mosfrekuentimit të shkollës e mban ajo e Laknasit. Nga ana tjetër, drejtoritë e shkollave dhe vetë përfaqësuesit e pushtetit vendor pohojnë se e kanë shumë të vështirë që të ndryshojnë këtë realitet dhe këto shifra. Kjo, edhe për faktin se varfëria në këto zona është e konsiderueshme dhe asnjë gjobë nuk do të mund të përballohej nga pjesa më e madhe e prindërve të fëmijëve që humbasin çdo lloj të drejte apo mundësie për të krijuar një të ardhme ndryshe, përmes arsimimit.
Ndërkohë që një tjetër problem shumë i madh në këtë zonë mbetet edhe fakti se fëmijët detyrohen që të përballojnë punë të vështira, si pasojë e mungesës së ndihmës ekonomike për familjet e tyre apo sigurimit të të ardhurave të tjera nga prindërit, që jo në pak raste janë të papunë, ose punësohen në të zezë për një copë bukë.