E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: KESH të eksportojë energji në kohë piku

 

 

TIRANË- Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, Kryeministri Berisha informoi lidhur me disa shtesa dhe ndryshime në ligjin "Për sektorin e energjisë elektrike". Këto ndryshime, ndër të tjera, i lejojnë Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare të eksportojë energji në kohë piku dhe të importojë energji atëherë kur vendi ka nevojë. "KESH kërkon të drejtën e ndërhyrjeve me optimizëm dhe unë jam dakord me këtë. Korporatës do t'i krijohet kjo mundësi në mënyrë që ajo, duke plotësuar tërësisht nevojat e vendit, të mund të eksportojë në kohë piku dhe ti importojë në periudhën më të vështirë për vendin", tha Kryeministri Berisha. Ndryshimet në këtë ligj, u shpreh Kryeministri bëhen në kuadrin e parapërgatitjes për privatizimin e plotë të sektorit të energjisë elektrike në Shqipëri. Kryeministri u shpreh se ky është një proces që po ecën në përputhje me programin e paraqitur nga Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC) dhe që duhet të finalizohet së bashku me privatizime të tjera të mëdha brenda këtij viti. Duke përshëndetur punën e bërë nga IFC për përgatitjen e të gjitha referencave të domosdoshme për procesin e privatizimit, Kryeministri u shpreh se kompani të mëdha janë duke treguar interes të veçantë. Në relacionin e draftit thuhet se, për të mbështetur procesin e privatizimit, është përcaktuar që do të ketë vetëm një licencë për shpërndarjen e energjisë elektrike, në të gjithë vendin. Po ashtu, janë përcaktuar qartë detyrat e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, i cili nuk do të kryejë më e detyra komerciale në tregun e energjisë, por vetëm detyra shërbimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›