Territoret e mbjella me predha në Gjirokastër, Tepelenë dhe Përmet
Shpërthimet e njëpasnjëshme me pasoja tragjike që ndodhën më 15 mars 2008 në fshatin Gërdec afër Vorës rrezikojnë të përsëriten në të paktën në tri zona të banuara në jug të vendit, ku janë depozituar tonelata të tëra me municione luftarake të të gjitha llojeve. Zonat më të rrezikuara nga katastrofat e kësaj natyre vazhdojnë të mbeten dy pikat e njohura të depozitimit dhe grumbullimit të municioneve, në malin e Dhëmblanit në veriperëndim të qytetit të Tepelenës, në tunelet e të ashtuquajturit "Baza e Armatës Shqiptare", ku prej afro 35 vjetësh gjendet e depozituar sasia më e madhe e municionit në Shqipëri dhe tunelet e ish-Spitalit Ushtarak nëntokësor të Mezhgoranit në kufi të rretheve Tepelenë dhe Përmet, pikë ku janë depozituar armët e mbledhura pas shpërthimit të reparteve ushtarake në trazirat politike të vitit 1997. Në të dyja këto pika, armatimet dhe municionet gjenden në afërsi të zonave të banuara dhe jo vetëm brenda tuneleve nën tokë, por edhe në mjedis të hapur. Në të dyja rastet, krahas depozitimit në tunele, municionet janë vendosur kryesisht në ish-depot e rezerva ushqimore shtetërore, aspak të siguruara dhe krejt të papërshtatshme për funksionin e adaptuar nga ekspertët e Ministrisë së Mbrojtjes. Pika e tretë, shumë e rrezikshme, janë depot ushtarake të municioneve luftarake, të vendosura në tunelet e Lazaratit. Janë rreth 10 tunele, të mbushur me municion dhe materiale të tjera ushtarake, hyrjet e të cilave janë mbuluar me dhe e gurë të zhvendosur me mjete të rënda nga vetë banorët për të mos lejuar hyrjen e fëmijëve në këtë zonë me rrezikshmëri të lartë. Megjithatë, nuk janë vetëm këto tri pika që paraqesin rrezikshmëri për banorët në rajonin jugor të vendit. Pas reformave që përfshinë strukturat e Ushtrisë Shqiptare që u pasuan me mbylljen e një numri të madh repartesh ushtarake dhe pika hapjeje të shpërndara në të gjithë territorin, dhe sidomos pas shpërthimit të depove gjatë kaosit që përfshiu vendin gjatë vitit 1997, pas rënies së piramidave mashtruese, janë me dhjetëra repartet e braktisura të ushtrisë, në territoret e të cilëve gjen të shpërndara armë të rënda, predha artilerie, mina, granata dhe municione për armët e lehta të zjarrit. Një vit më parë, gazeta "Shqip" paralajmëroi rrezikun e mundshëm të shpërthimeve në rrënojat e ish-repartit Ushtarak të Picarit, ku dhjetëra fëmijë gërmonin tokën për të nxjerrë predha artilerie të mbuluara nga dheu i shpërthimeve të qershorit të vitit 1997. Gjatë pastrimit të territorit, në atë vit humbën jetën katër ushtarakë të ish-divizionit "Labëria". Territore të mbjella me predha dhe municione të rrezikshme ushtarake, ka sot edhe në disa pika të tjera si në Ramanxa afër Picarit, në depot e Gërhotit, në repartin ushtarak në afërsi të fshatit Arshi Lengo, në Libohovë, etj. Viktimat më të fundit nga shpërthimet e ndodhura në tokën e mbjellë me predha e barut janë nënoficeri nga Berati, Namik Gjolena, dhe ushtari Adrian Hanaj, të cilët humbën jetën gjatë shpërthimit të tmerrshëm të 6 majit 2006, në depot e municionit në ish-rezervat e fshatit Dhëmblan të Tepelenës.