Prefekti i Fierit: Të inspektohet çdo depo
Prefekti i Fierit, Shahin Bejdaj, i ka bërë thirrje qeverisë të ndërhyjë për heqjen e municioneve luftarake, që ndodhen në repartet ushtarake brenda territorit të qarkut. Ai ka shkuar dje në repartin 403/2, që ndodhet në Grizë të Patosit, por nuk është lejuar që të hyjë brenda. Duke këmbëngulur për të marrë kontakt me drejtuesit e këtij reparti, prefekti është rrethuar nga një grup banorësh të fshatit Grizë, të cilët kanë kërkuar ndërhyrje të menjëhershme. Banorët e alarmuar i kanë kërkuar atij ndërhyrje të menjëhershme dhe kanë pohuar se po braktisin banesat, nga frika e përsëritjes së ndonjë shpërthimi si ai i Gërdecit. Në një deklaratë për shtypin, prefekti i Fierit ka siguruar komunitetin e të tria rretheve të Qarkut Fier se do të ndërhyjë dhe do të kërkojë me forcë nga qeveria që të nisë inspektimi i të gjitha reparteve ushtarake, si dhe depove e tuneleve, që më parë kanë shërbyer për magazinimin e armatimeve. Gjithashtu, prefekti ka mbledhur një komision të posaçëm me ish-ushtarakë dhe specialistë xhenierë, për kontrollin e imtësishëm të të gjitha vendeve ku mendohet se janë braktisur municione.