E Diel, 1 Nëntor 2026

Trajneri Han nuk bindet me lojën e futbollistëve të “Superligës”

Tiranë (Start)- Trajneri i kombëtares shqiptare, Ari Han, Ka mbetur i pa kënaqur nga lojtarët e vëzhguar këtë fundjavë. Holandezi ndoqi dy nga ndeshjet e “Superligës”, Partizani-Shkumbini dhe Tirana-Besa.

Në grumbullimet e tij janë thirrur rregullisht Elvin Beqiri, Endri Vrapi, Andi Lila, Ansi Agolli dhe Elis Bakaj. Trajneri ishte i interesuar për Gjergji Muzakën dhe Tefik Osmanin, ky i fundit është grumbulluar edhe më parë me kombëtaren.

Pas ndeshjeve tekniku ka deklaruar se të gjithë lojtarët duhet të punojnë më shumë nëse duan të arrijnë kombëtaren.
Holandezi ka deklaruar për mediat, se futbollistët që luajnë jashtë janë më premtues, dhe se eksperienca e tyre është më e madhe.

“Eksperienca jashtë është më e mirë dhe më premtuese për ata që duan të veshin fanellën kuqezi, por ka disa emra që premtojnë shumë dhe në të ardhmen të jenë elementë të rëndësishëm”, - deklaroi Ari Han për mediat.

Përfaqësuesja jonë do të zhvillojë një ndeshje miqësore me Azerbajxhanin në datë 19 nëntor, datë e lënë e lirë nga FIFA.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›