Trajneri: “I bëj gjithmonë llogaritë me Skelën”
Ervin Skela do të jetë regjisori i Energi Kotbusit në sfidën e vështirë kundër Këlnit. Trajneri i Kotbusit, Bojan Pransikar, nuk e fshehu kënaqësinë e rikthimit të mesfushorit 32-vjeçar shqiptar, i cili mungoi për shkak të gripit në ndeshjen e humbur të dielën e kaluar me Hamburgun, e treta rresht. “Unë i bëj llogaritë në ekip, duke u nisur gjithmonë nga ai (Skela). Shpresoj se nuk ka humbur shumë fuqi. Ne kemi nevojë urgjente për pikë. Duhet të ecim në rrugën e duhur dhe të jemi të duruar”, - citohet nga mediat gjermane trajneri i Energi Kotbusit, Bojan Pransikar. Ervin Skela, i cili sapo ka rinovuar edhe për dy sezone kontratën me Energi (me kushtin nëse Kotbusi qëndron në Bundesligë), është një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës nga ish-Gjermania Lindore.
“Lojtari i 12-të kuqezi” edhe në Danimarkë-Shqipëri
Tifozët kuqezinj do të jenë të pranishëm në Kopenhagen, ku më 1 prill do të luhet në stadiumin e kryeqytetit danez, Danimarkë-Shqipëri, takimi i shtatë i përfaqësueses sonë në eliminatoret e kampionatit botëror “Afrikë e Jugut 2010”. Grupimi i njohur “Tifozët kuqezinj” ka njoftuar se po organizon udhëtimin drejt Danimarkës për të ndjekur nga afër ekipin përfaqësues. Shumica prej tyre natyrisht janë emigrantë shqiptarë dhe kosovarë, të cilët edhe një herë tjetër do të jenë “lojtari i 12-të” në fushën e lojës përkrah kombëtares së Haan. Sipas njoftimit të këtij grupimi, të gjithë tifozët e interesuar për të parë nga afër këtë takim janë të mirëpritur t’i bashkëngjiten pjesës tjetër të tifozëve kuqezinj në Hamburg të Gjermanisë. Aty do të bëhet nisja drejt Danimarkës me autobusë tashmë të siguruar nga drejtuesit e këtij grupimi. Sipas njoftimit, udhëtimi nuk do të kushtojë më shumë se 50 euro, shifër kjo simbolike në krahasim me ç’mund të shpenzohet në rast se udhëtimi bëhet veçmas ose me mjete të tjera, si avion ose makinë. Biletat e këtij takimi do të sigurohen pranë stadiumit të Kopenhagen dhe sipas informacioneve në pikat e shitjes ka bileta të mjaftueshme për të gjithë tifozët. Ato do të kushtojnë jo më shumë se 350 Dkrona ose rreth 48 euro. “Tifozët kuqezi” njoftojnë gjithashtu se takimi do të bëhet te sheshi "Radhuspladsen" dhe prej aty do të vazhdojnë duke kënduar dhe brohoritur “Shqipëri, Shqipëri”. Tifozët shqiptarë do të vendosen në tribunën "Coca Cola" të stadiumit. Të njëjtin organizim në nisje, sikundër nga Hamburgu, grupimi “Tifozët kuqezi” konfirmojnë se do të bëjnë edhe në qytete të tjera të Gjermanisë (Frankfurt, Dyseldorf, Hanover, Berlin) etj. Por kjo nismë do të shtrihet edhe në kryeqytete të tjera të Europës ku ka tifozë të skuadrës sonë kombëtare, si në Londër (Angli), Oslo (Suedi) Bruksel (Belgjikë), etj.
FSHF-ja ul çmimet e biletave
Federata Shqiptare e Futbollit bëri të ditura çmimet e biletave për ndeshjen ndërkombëtare Shqipëri-Hungari, të programuar më datën 28 mars 2009, ora 20:30, në stadiumin kombëtar "Qemal Stafa".
Federata me politikën e saj të çmimeve të lira synon kthimin e tifozëve dhe mbështetjen e tyre pas barazimit të zbehtë pa gola në Maltë. Çmimet e biletave për ndeshjen Shqipëri-Hungari janë dukshëm më të ulura në raport me ndeshjen Shqipëri-Suedi. Kundër suedezëve një biletë në tribunat qendrore (A dhe B) kushtonte 5000 lekë, ndërsa tani për Shqipëri-Hungari ato janë reduktuar në 3000 lekë. Në tribunë qendrore karshi (D2) çmimi i biletave nga 2000 lekë në Shqipëri-Suedi është “transformuar” në 700 lekë në Shqipëri-Hungari.
ÇMIMET
Tribuna A dhe B 3000 lekë
Tribuna D2 700 lekë
Tribuna D1 dhe D3 500 lekë
Tribuna C dhe E 200 lekë
20 Mars 2009