E Diel, 1 Nëntor 2026

Helidon Haliti, “Gjeli” shqiptar në koleksionin e presidentit Nikola Sarkozi



Petrika GROSI
Pasi e vizituam ekspozitën e tij vetjake të çelur kohët e fundit në mjediset e muzeut privat “Mezuraj” në kryeqytet, zhvilluam një intervistë me piktorin e talentuar Helidon Haliti. Për pikturën e këtij artisti mund të thuhet me pak rreshta se është në rritje nëse kemi parasysh krijimet e para një dekade, gjithashtu po kaq i rëndësishëm është të theksohet fakti se tashmë Helidoni ka krijuar një personalitet të vetin si piktor simbolist–ekspresiv, madje deri diku, pse jo, mund të thuhet se artisti shfaq tek-tuk tendenca surrealiste e postmoderne. Është e vështirë që ta përcaktosh në një rrymë të caktuar dimensionin dhe diapazonin e gjerë dhe tepër interesant të këtij krijuesi. Për këtë arsye, fjalën ia lëmë kritikës duke mos e lodhur as lexuesin me përcaktime që vetëm subjektivisht mund të përcaktonin atë që nuk ka nevojë për kufij, artin e vërtetë... Në fund të fundit stili i këtij piktori, siç shprehet vetë Helidoni, është ngjyra. Rëndësi kanë vetëm ngjyrat, sepse ato nuk vdesin kurrë, ndryshe nga rrymat dhe tendencat...
Helidon, le ta nisim këtë intervistë pikërisht me nisjen e karrierës suaj si piktor profesionist...
Do ta veçoja kohën kur katër punë të miat nga cikli eksperimental, që kishin të bënin me katër instalacione; “Emigrimi”, “Plumbat ‘97”, “Pëllumbi” dhe “Adami e Eva”, u ekspozuan në një eveniment ndërkombëtar që zhvillohej në Greqi. Bëhet fjalë për një ekspozitë të kuratorit dhe kritikut të njohur grek Stefanidhis, e cila u çel në mjediset e një kështjelle në ishullin e Patras. Piktorët e tjerë që merrnin pjesë ishin bullgarë, rusë, turq, maqedonas, të gjithë emigrantë në Greqi, e pa dyshim nuk mungonin artistët grekë.
Tashmë jemi në ekspozitën tuaj që është hapur kohët e fundit nga muzeu “Mezuraj”; shohim piktura që u përkasin viteve 2000-2008. Si ndiheni ju, kam parasysh si krijues i tyre, pra çfarë emocioni ju ngjallin punët që keni bërë kur i shihni tani, teksa jeni më i ftohtë dhe i distancuar emocionalisht nga ethet e krijimit?
Për hir të nostalgjisë ndihem më tepër i dashuruar me ciklin eksperimental dhe portretet e para që kam bërë. Kjo ndodh edhe për arsye të distancës së largët kohore, por, në anën tjetër, kam dobësi edhe për portretet, pasi u përkasin njerëzve të familjes dhe një tjetër kategorie, atyre që kanë kaluar në jetën time. Në lidhje me këto të fundit kam edhe një cikël që titullohet “Mbi eksperiencat”, ku në pesë kuadrate shfaqen eksperiencat “ilegale”, ndërkohë që një kuadrat “pushtohet” nga një eksperiencë legale.
Pse kaq shumë ngjyra të ndezura?
Është një gjë që vjen nga instinkti dhe subkoshienca. Në fakt, asgjë nuk është e ndërgjegjshme, pra e qëllimshme tek mua kur flasim për ngjyrat. Gjithçka mbetet relative, përveç diçkaje që është absolute; piktura për mua është ngjyrë dhe vetëm ngjyrë... dhe ngjyra vjen e para mbi çdo lloj rryme, gjinie apo zhanri...
Nga ky koncept që keni për pikturën rrjedh dhe stili juaj i veçantë?
Po, por kjo nuk është karakteristikë e imja.
Po kuadrati me një fytyrë brenda, të cilin e hasim aty-këtu, si motiv te pikturat tuaja, çfarë sinjifikon?
Kjo ka të bëjë me një gjë të vetme; ndiej një lloj izolimi të njeriut, të shqiptarit më saktë, në të gjitha drejtimet, llojet, dimensionet, liritë, botëkuptimin, mentalitetin e tij. Pasojat e këtij izolimi shoqëria i vuan dhe do t’i ndiejë gjatë, por unë shpresoj që ta kalojmë këtë krizë pas një dekade. Kuadrati që më pyetët është ai kuadrat që më shoqëron duke nisur që nga jeta ime private, deri tek ajo publiku, madje, ndonjëherë edhe në mënyrën e pikturimit. Nuk do të çuditesha edhe sikur ky kuadrat të më shoqërojë për gjithë jetën. E rëndësishme është që të mos ua imponoj të tjerëve kuadratin, të mos ua lë trashëgimi dhe të tregoj mënyrën se si mund të shmangemi prej tij.
Përveç natyrës, dy shpendë, si bufi dhe gjeli, duken si ndër simbolet që ju inspirojnë më shumë. Po ju vetë, çfarë do të thoshit?
Bufi është një mjet i huazuar nga e kaluara, diçka që ka një jetëgjatësi shumë të madhe, e cila vjen nga lashtësia. Thjesht e përdor si mjetin tim personal, si engjëll ndriçues. Përmes errësirës të shikosh dritë... Ndërsa gjeli, përveç simbolit që shqiptarët e kanë si shans, apo kësmet duke iu referuar fabulës së gjysmagjelit, mua më duket edhe si kali i shpendëve.
Portretet i bëni gjithmonë mbi njerëzit që hyjnë e dalin në jetën tuaj? Pra, dua të them, nuk përdorni modele?
E saktë. Nuk përdor modele, pasi modelet janë kalimtare, ndërsa njerëzit që hyjnë në jetën time, të përjetshëm. Absolutisht të përjetshëm.
Ju vjen keq që jeni ndarë nga këto punë, të cilat tashmë i përkasin Mezurajt?
Absolutisht nuk ndiej keqardhje. Madje shumë piktorë do ta kishin ëndërr mënyrën se si ekspozon Mezuraj duke i krijuar mundësi vizitimi nga një publik i gjerë veprave të artit. Deri në këto momente Mezuraj është njeriu për të cilin kam harxhuar kohën më të madhe të këtyre katër viteve të fundit dhe për mua nëse vazhdon kështu, ky njeri do të përbëjë “legjendë” në artin shqiptar. Engjëjt e tij mbrojtës janë instinkti dhe pasioni i padiskutueshëm.
Jam kureshtar të di diçka më tepër rreth mënyrës të bashkëpunimit të një artisti të talentuar si ju dhe një muzeu prestigjioz privat si Mezuraj.
Punoj në një liri të plotë. Gjithçka nisi kur presidenti Mezuraj erdhi si një klient për të marrë disa punë të miat. Një ditë të bukur, papritur vumë re se në koleksionin e tij, Mezuraj dispononte 120 piktura të miat dhe automatikisht bashkëpunimi mori rrugë institucionale, çka do të thotë se ky numër ishte i mjaftueshëm për të çelur një ekspozitë dhe për të botuar një album si ky që sot kemi në duar. Në fakt, ajo që unë kam bërë është pikturimi në mënyrë, siç ju thashë, krejt të lirë. Të hysh në studio pa menduar nëse do të shitet apo jo puna jote, por vetëm e vetëm për të bërë art për art. Mbizotërohesha nga një ndjesi që veprat e mia do të ekspozoheshin një ditë në një muze serioz dhe do të kishin jetëgjatësi maksimale. Të parën e arrita, të dytën le të shpresojmë!
Gjithmonë njerëzit bëhen kureshtarë për çmimet e pikturave...
Nuk funksionoj me këtë logjikë. Për mua, në momentin që e shes pikturën, ka rëndësi që të marr aq para sa më duhen që të mbijetoj për një muaj. Më pas vlera e pikturës rritet në mënyrë subjektive, por kjo është diçka që nuk më intereson. Të mos harrojmë se piktura është luks dhe unë hyj ndër ata piktorë që jetojnë me pikturën. Çmimi i vërtetë i pikturës nuk është ai me të cilit tabloja del nga studioja e piktorit, por është çmimi që vendos tregu, i cili sa vjen e rritet me kalimin e viteve.
Kalojmë kështu te nudoja në tablotë tuaja. Vihet re një origjinalitet i padiskutueshëm dhe një trajtim ekspresionist. Është rastësi?
Modelet nudo që kanë kaluar në studion time kanë janë futur në mënyrë ekspresive dhe kanë dalë po ashtu. Femrën e trajtoj me respekt të veçantë, me fisnikërinë që meriton dhe, pse jo, me ekspresivitet. Sa u përket nudove, vetë zhveshja si akt tregon ndrydhje dhe jo lëvizje, ndërsa me mua ndodh e kundërta; zhveshja shpërfaq ekspresivitet.
Një pyetje që vjen natyrshëm; jeni prind, ashtu si jeni edhe bashkëshort. A keni probleme xhelozie për shkak të punës suaj?
Absolutisht nuk kemi asnjë problem. Marrëdhëniet tona janë pothuajse perfekte, sidomos atëherë kur vjen fjala për ta ndarë artistin nga bashkëshorti. Ajo ka gjetur çelësin e enigmës, më ka skllavëruar me lirinë që më ka dhënë.
Së fundi, është e vërtetë që një pikturë e juaja tani që flasim i përket koleksionit të presidentit francez Nikola Sarkozi?
Po, një vepër e imja iu dhurua presidentit Sarkozi nga Ambasada e Francës në Shqipëri. Piktura ime u përzgjodh mes të tjerave për këtë rast dhe ndihem tepër i nderuar. Nëse do të më pyesnit mbi tablonë që tashmë i përket koleksionit të presidentit Sarkozi, fabula e saj ishte ajo e Gjysmagjelit. Kam përshtypjen se nuk shkoi te presidenti Sarkozi thjesht piktura e Helidon Halitit, por fabula e moçme shqiptare e Gjysmagjelit në kërkim të fatit, ndërkohë që gjeli edhe për francezët është simbol i rëndësishëm.

20 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›