E Shtunë, 31 Tetor 2026

Curri: “Koha të hakmerremi me Hungarinë”



Dash Frashëri

Me pesë lojtarë nga kampionati ukrainas, Isli Hidi, Dorian Bylykbashi e Ervin Bulku (të tre të Krivbasit), si dhe Debatik Curri e Armend Dallku (të dy të Vorskla Poltavës), “Vysha Liga” përbën edhe “mushkërinë” e ekipit kombëtar shqiptar për ndeshjet e rëndësishme kundër Hungarisë (28 mars, në Tiranë) dhe Danimarkës (1 prill, në Kopenhagen).
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Ari Han, i pa edhe para dy javësh në aksion të pesë lojtarët gjatë vizitës së tij me karakter “vlerësues” në Ukrainë, pavarësisht se nuk u solli fat dy skuadrave të shqiptarëve, pasi si Krivbasi, ashtu dhe Vorskla i humbën takimet në kampionatin ukrainas me kundërshtarët respektivë, Çernemoretsin (0-2) e Dinamo e Kievit (4-1).
Gjithsesi, holandezi u dha mesazhet e duhura lojtarëve të Kombëtares shqiptare në prag të sfidave shumë të rëndësishme kundër Hungarisë, më 28 mars në Tiranë e Danimarkë, katër ditë më pas në Kopenhagen, dhe risolli në përfaqësuese kapitenin e Krivbasit, Dorian Bylykashin.
Futbollisti polivalent Debatik Curri (21 ndeshje me Kombëtaren, ka debutuar në miqësore kundër Gjeorgjisë në kohën e Hans Peter Brigelit), kur kanë mbetur edhe më pak se 10 ditë për t’u përballur me Hungarinë, nuk i fsheh emocionet dhe ambicien për ta kaluar me sukses provën dhe për të arritur fitoren e dytë në takimin e gjashtë të eliminatoreve të Kampionatit Botëror.
“Hani na theksoi rëndësinë e ndeshjes me Hungarinë edhe kur na takoi para disa ditësh në Ukrainë. Por ne të gjithë e dimë rëndësinë e kësaj ndeshjeje dhe detyrën tonë për ta fituar atë. Nuk mund të mbetemi vetëm me fitoren kundër Maltës, për më tepër që të vetmen humbje e kemi me Hungarinë, që unë edhe sot e kësaj dite e konsideroj aksidentale me mënyrën se si na i shënuan dy golat ata. Duhet të hakmerremi të gjithë, për më tepër që besoj se do të ketë shumë tifozë në stadium”, - theksoi për “Albania”-n Debatik Curri, autori i një goli të mrekullueshëm të shënuar kundër Holandës në eliminatoret e fundit të Kampionatit Europian 2008.
Debatiku, një nga lojtarët më të mirë të kampionatit ukrainas (i dhjeti në botë për nga fortësia), e vlerëson faktin që në ekipin tonë përfaqësues janë thirrur pesë lojtarë (aq sa nga kampionati shqiptar) dhe më shumë se nga çdo kampionat tjetër i huaj.
“Kampionati në Ukrainë është gjithmonë në rritje dhe më shumë cilësor. Këtë e tregojnë edhe lojtarët që po vijnë nga kampionate të huaja me emër. Në Europë janë disa ekipe që kanë emër të mirë, por tani edhe Vorskla jonë po bën ç’është e mundur për të kapur një vend në Ligën e Europës, pasi mundësia e shpresa ekziston”, - shton Curri, dukë dhënë njëherësh edhe opinionin e Armend Dallkut, shokut të ekipit të tij.
“Debi” flet edhe për thirrjen në Kombëtare të mesfushorit Dorian Bylykbashi. “Te Krivbasi ai është kapiteni dhe lideri i padiskutueshëm i skuadrës. Dhe këtë e ka treguar në shumë ndeshje, madje edhe kundër ekipit tim, Vorsklës. Mendoj se trajneri Han, por dhe Bariçi, duhet ta kishin thirrur më parë e aktivizuar, pasi ka çfarë t’i japë ekipit kombëtar”.
Në ndeshjen e fundit në kampionatin ukrainas Vorskla barazoi në shtëpi pa gola me FK Lvov. “Nuk them se nuk patëm shanse, por fati nuk ishte me ne atë ditë (të premten e kaluar), pasi luajtëm përballë një skuadre që ishte shumë poshtë nesh në renditje”, - tha Curri.
Vorskla pas 20 javësh të luajtura ndodhet në vendin e pestë me 37 pikë, një më pak se Metalist i vendit të tretë. Në fundjave ekipin e Currit, Dallkut e Januzit e pret një sfidë e vështirë me Shahktjor Donjeckun e vendit të dytë (40 pikë).
“Është më të vërtetë një ndeshje e vështirë, pasi përballë do të kemi një nga ekipet më të mëdha të Ukrainës. Nuk trembemi prej tyre, por që të fitosh ndaj Shahktjorit duhet të japësh 200 për qind të mundësive”, - përfundoi mbrojtësi Debatik Curri, i cili shton se Shahktjorit i ka shënuar një gol, por gjatë edicionit të kaluar të Kupës së Ukrainës.

BALLË PËR BALLË ME HUNGARINË
RENDITJET E MUAJIT MARS 2009

Renditjet në FIFA

Shqipëria e 80-a
Hungaria e 48-a
Vende: 205

Renditjet në UEFA

Shqipëria e 37-a
Hungaria e 26-a
Vende: 53

BILANCI ME HUNGARINË
20.08.1947
Tr.: Ljubisha Broshiç
Hungari-Shqipëri 3-0
(Kam. Europës Qëndrore)

23.05.1948
Tr.: Adem Karapici
Shqipëri-Hungari 0-0
(Kam. Europës Qendrore)

24.09.1950
Tr.: Ludovik Jakova
Hungari-Shqipëri 12-0
(Miqësore)

11.10.2008
Tr.: Ari Han
Hungari-Shqipëri 2-0
(Elim. Kamp. Botëror 2010)

Bilanci: 4 takime; 0 fitore, 1 barazim, 3 humbje

PESË TAKIMET
Në pesë takimet e para Shqipëria ka fituar me Maltën (3-0), barazuar me Suedinë (0-0, në Tiranë) dhe Portugalinë (0-0, në Braga) e Maltën (0-0, në La Valeta) e humbur me Hungarinë (2-0, në Budapest), duke grumbulluar 6 pikë, një më shumë se Portugalia e Suedia, që kanë luajtur nga ana e tyre respektivisht katër dhe tri ndeshje.

BILANC NEGATIV
Kundër Hungarisë kemi zhvilluar deri tani katër takime dhe bilanci është shumë negativ: 1 barazim dhe 3 humbje, madje ndaj saj kemi pësuar edhe humbjen më të thellë në histori: 12-0, në një miqësore të zhvilluar, më 24 shtator të vitit 1950 (trajner Ludovik Jakova), madje si për ters nuk kemi mundur të shënojmë qoftë edhe një gol të vockël.

Grupi 1
Ndeshjet dhe renditja

06.09.2008
Shqipëri-Suedi 0-0

10.09.2008
Shqipëri-Maltë 3-0

11.10.2008
Hungari-Shqipëri 2-0

15.10.2008
Portugali-Shqipëri 0-0

11.02.2009
Maltë-Shqipëri 0-0

28.03.2009
Portugali-Suedi

01.04.2009
Danimarkë-Shqipëri

06.06.2009
Shqipëri-Portugali

09.09.2009
Shqipëri-Danimarkë

14.10.2009
Suedi–Shqipëri

Grupi 1
Skuadra ND F B H G+ G- P
Danimarka 3 2 1 0 6 2 7
Hungaria 4 2 1 1 4 2 7
Shqipëria 5 1 3 1 3 2 6
Portugalia 4 1 2 1 6 3 5
Suedia 3 1 2 0 2 1 5
Malta 5 0 1 4 0 11 1

20 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›