E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atentati kundër deputetit grek, përgjegjësinë e merr një grup



Atentatin e kryer dy ditë më parë kundër një deputeti të Partisë Konservatore në Greqi e mori përsipër një grup i panjohur deri tani. Lajmin e bëri të ditur policia greke. Burime policore thanë se një i panjohur që mendohet se i përket grupit “Aksioni i Lirisë Revolucionare” mori përsipër këtë sulm me një telefonatë në radion publike. Një lëndë plasëse, e përbërë nga disa pako të vogla gazi, ishte vendosur para shtëpisë së Qiriakos Micotaqis, djali i ish-kryeministrit Kostas Micotaqis dhe vëllai i ministres së Punëve të Jashtme, Dora Bakojanis. Aktet e dhunës dhe atentatet janë shtuar shumë kohët e fundit në Athinë, që nga vdekja në muajin dhjetor e një adoleshenti të vrarë nga një polic në lagjen “Eksarkia”, në qendër të kryeqytetit grek. Micotaqis shpëtoi nga ky atentat pasi nuk ndodhej atë moment në shtëpi.
Bomba artizanale, që më pas shpërtheu në flakë, është e njëjta si ato që përdoren gjatë sulmeve anarkiste të kryera ndaj bankave dhe zyrave të tjera qeveritare në Greqi.

20 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›