Zyrtarët serbë ndalohen sërish të hyjnë në Kosovë
Policia e Kosovës ka ndaluar ndihmësministrin për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Bojan Angjelkovis, si dhe delegacionin që e shoqëronte të hynte në Kosovë. Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi, ka deklaruar se në Kosovë mund të hyjnë qytetarët e shteteve të tjera, por hyrja nuk do t’u lejohet zyrtarëve, të cilët nuk kanë marrë leje nga institucionet e Kosovës. “Qytetarët e shteteve të tjera mund të hyjnë në Kosovë pa kurrfarë problemi dhe procedure shtesë, por ata që në Kosovë duan të vijnë në cilësinë e zyrtarëve të shteteve të tjera duhet t’i përmbahen procedurës dhe paraprakisht të kërkojnë pëlqimin e institucioneve të Kosovës”, - ka thënë Krasniqi. Ai shtoi se procedura për hyrjen është zbatuar edhe në rastin e Angjelkoviçit dhe se “kështu do të veprohet gjithmonë ndaj të gjithë zyrtarëve të qeverisë së Serbisë, por edhe të shteteve të tjera”. Ky është rasti i tretë kur policia kosovare pengon zyrtarët serbë të hyjnë në Kosovë pa marrë leje nga Prishtina zyrtare. Nga ana e Beogradit pretendohet se autoriteti kryesor në Kosovë është UNMIK-u.
20 Mars 2009