E Diel, 1 Nëntor 2026

Trajneri Xhani De Biazi ka nisur eksperimentimet ne perfaqesuese

Muaji i mjaltit përfundoi, po ashtu edhe një grumbullim paqësor, ndërsa tani duhet veshur kostumi për të filluar punën seriozisht. Për Xhani De Biazin nis ajo periudhë që ai e njeh aq mirë nga përvoja në Itali e Spanjë, koha e dhimbjeve të kokës, e ndeshjeve ku kërkohet rezultat.

Kjo aventurë do të nisë më 29 shkurt në kryeqytetin gjeorgjan, Tbilisi, ndaj skuadrës kombëtare vendase dhe trajneri i kombëtares shqiptare ka vendosur të bëjë eksperimentimet. Edgar Çani i është përgjigjur me gol ftesës që iu bë duke ndihmuar skuadrën e tij, Polonia e Varshavës, të ngjitet në vendin e dytë në kampionatin polak. Për Çanin janë 9 gola në 17 ndeshje, gati gjysma e rrjetave të shënuara nga skuadra e tij.

Armando Sadiku është një tjetër sulmues i thirrur nga De Biazi, ndërsa sot ai do të nisë fazën e dytë në kategorinë e dytë të Zvicrës, ku ka shënuar 10 gola në fazën e parë, duke qenë shënuesi i tretë më i mirë.

Erion Bogdani është dëmtuar një ditë më parë në stërvitje me Sienën, por shpresohet që ky problem të mos i zgjasë gjatë dhe ta pengojë për Gjeorgjinë.

De Biazi ka vendosur që mbrojtësi Admir Teli të mos jetë këtë herë në përfaqësuese, për të provuar alternativa të tjera. Natyrisht që 30-vjeçari mbetet pjesë e kombëtares, kurse Curri e Cana nuk janë në Gjeorgji për shkak dëmtimi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›