E Diel, 1 Nëntor 2026

Peshengritesit Erkand Qerimaj nuk do ti hiqet bursa olimpike

Një vendim që edhe pritej, por që gjithsesi ishte një lehtësim. Erkand Qerimajt nuk do t’i hiqet bursa olimpike, ndërsa për peshëngritësin tjetër, Hysen Pulaku, do të synohen të gjendjen financime të tjera. Kështu vendosi Komisioni Teknik i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) në mbledhjen e djeshme, pasi shqyrtoi për herë të dytë kërkesën e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes për t’ia kaluar Pulakut bursën e Qerimajt.

Bursa i është akorduar Qerimajt për t’u përgatitur për Lojrat Olimpike që do të zhvillohen këtë verë në Londër dhe Komisioni Teknik arsyetoi se nuk është normale të ndërpritet ndihma për një sportist që do të jetë pjesëmarrës në Olimpiadë.

Në mbledhje pati edhe dy alternativa të tjera si ndarja e bursës mes dy sportistëve apo pritja e kampionatit europian për të parë gjendjen e tyre. Qerimaj dhe Pulaku janë të dy, peshëngritës të peshës deri 77 kg, ndërsa elbasanasi u paraqit më mirë sesa shkodrani në kampionatin botëror të vitit të kaluar, duke zënë vendin e shtatë.

Bursa olimpike ka një vlerë prej rreth 800 dollarësh në muaj për një periudhë 2-vjeçare dhe atë e përfitojnë edhe disa sportistë të tjerë si Romela Begaj apo Majlinda Kelmendi, ndërsa një bursë është e ndarë mes mundësve Sahit Prizeni e Fation Baro. Komiteti Olimpik kërkon nga Federatat që të propozojnë projekte lidhur me qendrat stërvitore ku mund të dërgohen sportistët pasi bursat olimpike nuk do të jepen më si financim në dorë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›