Trajneri i CSKA-së: Do ta mundim Interin
Në përballjen e parë kundër Interit, CSKA-ja e Moskës shpëtoi me vetëm një gol të pësuar. Zikaltrit dominuan në fushë dhe krijuan mjaft raste për shënim, mirëpo fati nuk ishte në anën e tyre. Këtë gjë e konfirmon vetë trajneri i skuadrës ruse, Leonid Slutski. Por ajo që ka rëndësi për të, është se gjërat do jenë krejt ndryshe në sfidën e kthimit. “Në ndeshjen e parë ne mund të kishim pësuar më shumë se një gol. Humbja 1-0 është një rezultat mëse i rikuperueshëm, pavarësisht se luajmë përballë një kundërshtari shumë të vështirë. Nëse arrijmë të kualifikohemi pa zhvilluar një lojë të bukur, jam i bindur që drejtuesit dhe tifozët e skuadrës do jenë shumë të kënaqur. Në ndeshje dhe kompeticione të tilla nuk ka gjithmonë rëndësi futbolli spektakolar. Kjo sfidë është e vështirë, megjithatë unë kam besim se do kualifikohemi”, tha Slutski. Ai analizon edhe se si duhet ta arrijnë kualifikimin për në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve. “Do hidhemi në sulm për të kërkuar golin. është shumë e rëndësishme që të kalojmë të parët në avantazh, madje do jetë akoma më mirë nëse e bëjmë një gjë të tillë që në minutat e para. Gjithsesi, sa herë që do kërkojmë të shënojmë, nuk do harrojmë për asnjë moment mbrojtjen, për arsye se nuk mund t’i lejojmë vetes që të pësojmë gol.