E Shtunë, 31 Tetor 2026

Llani: Me Teutën do ta kthejmë si finale

Nga RUSHAN DOSTI

Skuadra beratase nuk ka alternativë tjetër, përveçse fitores me skuadrën durrsake, ndryshe rrezikon shumë

Edhe pse gjërat kanë shkuar keq e më keq dhe fati vijon të jetë kundër beratasve, përsëri ka shenja optimizmi, që burojnë nga vetë shpirti i futbollistëve. Nëse shikojmë kalendarin, gjithçka duket e frikshme, por vetë lojtarët jetojnë me shpresën për të arritur atë që ata meritojnë: fitoren e munguar prej katër javësh. Tomori këtë javë do të përballet me Teutën kryesuese, skuadrën që po i jep tonin kampionatit shqiptar të superligës, por kjo nuk do të thotë që beratasit të dorëzohen para kohe, pasi mjaft kanë dështuar në këto 6 javë të kampionatit.

Sipas tyre, është tamam koha që ekipi të nisë kthesën e të mendojë seriozisht për mbijetesën në superligë. Përveç atmosferës optimiste që ekziston në kampin beratas, një tjetër garanci për ta është fakti që takimi do të zhvillohet në stadiumin Bashkim Sulejmani të qytetit të Kuçovës. Pavarësisht faktit që edhe ky takim do të zhvillohet pa praninë e spektatorëve, përsëri ekziston një tjetër ndjenjë, për faktin që tifozët do të jenë aty rrotull, duke i dhënë siguri skuadrës së tyre.

Portieri Sipas gardianit të portës beratase, Ervin Llani, i cili do të rikthehet në portë si titullar në këtë takim delikat, Tomori nuk ka asnjë alternativë tjetër, përveç fitores së sigurt me durrsakët. Njeriu që i ka dhënë zemër skuadrës në takime të vështira, si ato me Skënderbeun dhe Dinamon, kërkon të bëjë frymëzuesin e ekipit, duke ftuar të gjithë shokët në një lojë dominuese në të gjithë treguesit e saj.

Kemi humbur shumë në këto javë dhe tani është koha të mendojmë se nuk kemi çfarë të humbasim. Jemi përpara një gare që na afron një kalendar të frikshëm, por që kurrë nuk duhet të na demotivojë. Përkundrazi, tani është koha që të nisim kthesën që kërkojnë sportdashësit tanë. Teuta vërtet që është në krye, por ky është një tregues i përkohshëm.

Ka shumë ndeshje, të cilat po të vlerësohen maksimalisht, mund të kthejnë buzëqeshjen në ekipin tonë, për të cilin them me siguri se nuk e meriton atë vend ku është ngujuar aktualisht. Ne kemi aq forca sa të dalim nga kjo kullë ngujimi e të kthehemi në peidestalin që meritojmë.

Do ta bëjmë këtë që në takimin me Teutën, takim të cilin e kemi konsideruar finalen e karrierës sonë. Nuk kemi rrugë tjetër, ose të fitojmë me Teutën, ose të pranojmë publikisht dështimin, deklaron portieri i Tomorit, Ervin Llani.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›