E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trajtim nga peshqit për këmbë të lëmuara

PARIS- Kjo nuk është diçka të cilën e has zakonisht në listën e çmimeve në një sallon bukurie por një formë e re pedikyri po korr sukses në Paris. Lagia e këmbëve në një vaskë me ujë të ngrohtë mund të mos jetë diçka e pazakontë por ndarja e vaskës me disa qindra peshq është padyshim diçka e tillë. Krijesat e ujit, fatmirësisht pa dhëmbë, cimbisin lëkurën e tharë të këmbëve, duke bërë që të përftohet një sipërfaqe e lëmuar, gjatë një trajtimi që zakonisht përdoret në Turqi e në disa pjesë të Azisë për të pastruar lëkurën. Tashmë edhe parizianët mund ta provojnë këtë eksperiencë të rrallë, ndërsa shijonë çajin me barishte e lexojnë revista të ndryshme, në një sallon bukurie në kryeqytetin francez.
Reagimet e klientëve kanë qenë pozitivë, pasi mësohen me gudulisjen. "Fillimisht mu duk e padurueshme pasi cimbisjet e peshqve më gudulisnin së tepërmi. Por pak e nga pak mësohesh, aq sa harron që një mori peshqish po të cimbisin këmbët! Përfundimi nuk është aspak i keq. Përkundrazi" tha Fransin, e cila kishte ardhur nga Marseja bashkë me nusen e djalit dhe mbesën për këtë trajtim të rrallë.
Ky trajtim special ka një sërë përparësish në krahasim me trajtimin tradicional: "Peshqit e veckël iu vijnë rrotull gishtave në kuptimin e plotë të fjalës. Gjë që nuk ndodh në trajtimin tradicional. Ky është një ndryshim mjaft pozitiv e tepër i këndshëm" tha nusja e djalit të Fransin, Veronika.
Pronarja e sallonit të bukurisë Rida Bughanmi iu tha gazetarëve se peshqit janë mënyra më e mirë për pastrimin e lëkurës së këmbëve: "Ndryshimi qëndron në faktin që faza e pastrimit të lëkurës së tharë përmes fërkimit kapërcehet pasi janë peshqit ata që heqin atë përmes cimbisjeve. Për më tepër ata depërtojnë deri në rrënjë ndaj lëkura e lëmuar në këtë rast është më jetëgjatë" u shpreh ajo.
Nuk janë vetëm gratë ato që po tregohen entuziaste për këtë trajtim të ri. Tashmë edhe burrat kanë nisur t’i nënshtrohen këtij trajtimi. "është diçka tepër e këndshme dhe njëkohësisht e veçantë" tha Olaf, një turist suedez.
Një trajtim i plotë kushton 49 Euro dhe zgjat rreth 60 minuta.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›