Transadriatik, nis projekti i gazsjellësit që u propozua nga sekseri i Berluskonit
Nisën sot negociatat për projektin e gazsjellësit Transadriatik. Projekti i TAP, parashikon që gazsjellësi do të transportojë gaz nga rajoni i Kaspikut përmes Greqisë dhe Shqipërisë për në detin Adriatik drejt jugut të Italisë, e më tej në Evropën perëndimore.
Kjo marrëveshje lindi nga një propozim i ish-kryeministrit italian Silvio Berluskoni për kryeministrin Berisha, për një projekt gjigant energjetik. Gjatë hetimit të darkave të gjalla në dhomën e gjumit të Berluskonit, prokuroria italiane zbuloi se ideja për këtë projekt ishte e Xhanpaolo Tarantinit (Giampi), i cili i dërgonte kryeministrit italian vajzat që e çlodhnin në festat e tij private.
Përgjimet e telefonatave Berluskoni-Tarantini kanë zbuluar se mes të tjerash, Tarantini i kërkoi Berluskonit të ushtronte ndikimin e tij në Shqipëri për nënshkrimin e një marrëveshjeje për bashkëpunim energjetik mes dy vendeve.
Ndërkohë që, gjatë konferencës së mbajtur sot në Tiranë për prezantimin e projektit, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë, Nasip Naço, deklaroi se Shqipëria do të japë një kontribut të rëndësishëm për realizimin e kësaj iniciative.
Drejtuesit e projektit TAP bënë të ditur se vetëm në pjesën shqiptare parashikohet të investohen 1 miliard euro.