E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështon PABSEC në Tiranë, shkak emërimi i sekretarit rus

Shtyrja e takimit është bërë pasi nuk është arritur të miratohet draft-axhenda e mbledhjes së Asamblesë

Dështon takimi i radhës i Asamblesë së Përgjithshme të PABSC-ut (forum efektiv për dialogun ndër-parlamentar në rajonin e Detit të Zi, me një anëtarësim nga 12 parlamente), i parashikuar për t’u mbajtur sot në Tiranë nën kujdesin e kryeparlamentares Jozefina Topalli. Shkak është bërë mosmiratimi i axhendës së punimeve të Asamblesë nga ana e Byrosë dhe më pas nga Komiteti Drejtues i PABSEC-ut. Një fakt i tillë konfirmohet nga vetë Kuvendi i Shqipërisë, i cili nëpërmjet një njoftimi të shpërndarë për mediat bën të ditur se strukturat drejtuese të këtij forumi nuk arritën dot të miratojnë axhendën e punimeve të Asamblesë, ndaj u vendos që të shtyhet takimi i programuar që të niste sot dhe mbyllej nesër. “Sot (dje) pasdite, datë 21 nëntor 2011, u zhvillua mbledhja e byrosë së PABSEC-ut dhe më tej u mblodh Komiteti Drejtues i përbërë nga kryetarët e delegacioneve të vendeve anëtare të PABSEC-ut, i cili shqyrtoi draft-axhendën e propozuar nga Sekretariati i Përhershëm. Meqenëse nuk u miratua draft-axhenda e përgatitur dhe e paraqitur nga Sekretariati i Përhershëm i PABSEC-ut, dhe në vijim nuk u paraqit një axhendë alternative, Asambleja do të shtyjë punimet e saj”, - thuhet në njoftimin e Kuvendit. Shkaqet e mosmiratimit të draft-axhendës nuk bëhen të ditura nga Kuvendi, megjithëse burime pranë tij kanë bërë të ditur se ato kanë pasur të bëjnë me mosmarrëveshjet që ekzistojnë mes disa prej anëtarëve të tij. Një prej këtyre mosmarrëveshjeve ka pasur të bëjë me miratimin e një përfaqësuesi rus si sekretar të këtij forumi në një vend që kishte mbetur vakant që prej disa muajsh. Një pjesë e vendeve përfaqësuese në këtë forum nuk kanë rënë dakord që një pikë e tillë të përfshihej në rendin e ditës të punimeve të Asamblesë, presidente e së cilës është Jozefina Topalli, mandate i së cilës duhet të përfundonte pikërisht në fund të punimeve të kësaj Asambleje, për t’ia lënë vendin Armenisë. Mosmarrëveshjet duhet të kenë qenë edhe më të thella, pasi për të marrë pjesë në punimet e Asamblesë, ndryshe nga sa ishte parashikuar nuk ka ardhur as ministri Jashtëm rus Sergey Lavrov. Ndërkohë që gjatë paradites së djeshme, parlamentarë të PABSEC dhe rreth 400 biznesmenë, sipërmarrës të organizatës TUSKON u mblodhën në Tiranë, ku zhvilloi punimet “Forumi i 2-të i Biznesit të Detit të Zi”. Forumi u mbajt në kuadër të sesionit plenar të 38-të të Asamblesë së Përgjithshme Parlamentare të Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (PABSEC), presidencën e së cilës e mban Shqipëria. I pranishëm në këtë forum ishte edhe presidenti i TUSKON, Rizanur Meral. Në cilësinë e presidentes së PABSEC, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli vlerësoi se ky forum, i cili mbahet për herë të parë në Shqipëri, është një ngjarje e madhe ekonomike e politike dhe partnershipi midis politikës e biznesit është një platformë efektive në nxitjen e zhvillimit ekonomik të çdo vendi. “Ky forum, - tha kryetarja e Kuvendit, - është një katalizator dhe një motor i fuqishëm që çon më tej marrëdhëniet dhe shkëmbimet midis vendeve anëtare të Detit të Zi”. Në mënyrë të veçantë, znj, Jozefina Topalli tha se nxitës i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik janë bizneset e vogla dhe të mesme. Duke ftuar sipërmarrësit e vendeve të BSEC të eksplorojnë potencialet që ofron Shqipëria për të investuar, kryetarja e Kuvendit njohu të pranishmit me masat që vendi ka marrë në mbështetje të tyre, siç janë liria fiskale, heqja e burokracive, ulja e taksave, sistemi “One Stop Shop” etj, faktorë që garantojnë shndërrimin e investimeve në histori suksesi. Ajo vlerësoi se modeli ekonomik i Shqipërisë rezultoi një model i suksesshëm, prej të cilit vendi ynë të jetë ndër të vetmet vende që ka shënuar rritje ekonomike, pavarësisht se është i rrethuar nga kriza financiare globale e borxheve. Të pranishëm në ceremoninë e hapjes së këtij forumi ishin edhe ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, ministri i Ekonomisë, Nasip Naço, ministri i Teknologjisë dhe Inovacionit, Genc Pollo etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›