E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banda e Durrësit, gjykata rrëzon 5 të pandehurit

"Ndahen" të pandehurit e bandës, 5 prej tyre kërkojnë gjykim të shkurtuar
TIRANË- Gjykata e Krimeve të Rënda, pas një debati gjyqësor për rreth dy orë mes prokurorëve dhe avokatëve të "bandës" së Durrësit vendosi të rrëzojë kërkesat e pesë të pandehurve për veçimin e dosjes dhe gjykimin e çështjes në aplikim të gjykimit të shkurtuar. Gjatë seancës së djeshme, trupi gjykues i kryesuar nga Gurali Brahimllari, pasi u njoh me pretendimet e pesë mbrojtësve ligjorë të të pandehurve: Spartak Kalthi, Alban Neli, Altin Nikolla, Sardjan Sulejmani dhe Ervin Haxhiosmani, vendosi të rrëzojë kërkesat e tyre, duke argumentuar se të pandehurit akuzohen se kanë kryer veprat penale në kuadër të organizatës kriminale dhe kësisoj duhet të gjykohen së bashku. Më pas, seanca gjyqësore vazhdoi me një lumë kërkesash të avokatëve mbrojtës, të cilët kërkuan deklarimin e pavlefshmërisë për një sërë provash materiale, të sjella nga akuza, si procesverbale të marrjes në pyetje të të pandehurve, vendime të zgjatjeve të afateve hetimore e deri tek dëshmia e të penduarit AdriatikColi. Këtyre kërkesave iu shtua edhe një kërkesë e veçantë, për njohjen me dosjen penale. Edhe pse kanë kaluar 6 muaj nga dorëzimi i dosjes në gjykatë, njëri prej avokatëve nuk ishte njohur ende me të. Duke parë se kërkesa e mbrojtësit ligjor ishte e bazuar në ligj, trupi gjykues u detyrua të ndërpresë seancën gjyqësore për t'i lënë kohë edhe prokurorëve të çështjes të shprehen në lidhje me kërkesat e mbrojtësve për pavlefshmërisë e disa akteve dhe më pas të marrë një vendim të ndërmjetëm në lidhje me këto kërkesa. Gjatë zhvillimit të seancës së djeshme gjyqësore, të pranishmit në sallën e gjyqit që ndodhen në katin e parë të Gjykatës së Krimeve të Rënda, ishin pjesa më e madhe e të pandehurve të "bandës" së Durrësit. Sipas prokurorisë 17 të pandehurit e kësaj "bande", akuzohen për kryerjen e disa veprave të rënda penale, kryesisht në qytetin bregdetar të Durrësit, ku mbi supe i rëndojnë disa vrasje, plagosje, rrëmbime e deri tek përfshirja në trafikun e lëndëve narkotike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›