Transferet fatlume

Historia e futbollit është e mbushur me suksese, me rezervistë të pasur me medalje, që ndoshta as që nuk i meritojnë, duke ua marrë ‘bukën’ yjeve të pafat.
Natyrisht, kjo është punë fati, pasi që, për shembull, futbollisti gjerman Michael Ballack, shpesh ka arritur deri në finale të kompeticioneve të ndryshme, duke mbetur duarthatë dhe kokulur në fund.
Uebfaqja soccerlens.com e ka publikuar listën e 5 rasteve më të jashtëzakonshme të viteve të fundit, të cilët as që e kanë menduar se do të fitonin aq shumë trofe.
5. Pegguy Arphexad, Liverpool
Vetëm dy paraqitje në tri vjet me Reds, por ky portier i panjohur ka rrëmbyer pesë medalje në sezonin 200-2001 (FA Cup, League Cup, UEFA Cup, Charity Shield e European Super Cup)
4. Michael Carrick, Manchester United (20 milionë euro 2006)
Mesfushori i dashur nga menaxheri Sir Alex Ferguson i ka fituar tre kampionate, duke u bërë lojtar i shquar në ekipin e “Djajve të Kuq”. Ai kishte arritur nga Tottenhami.
3. Ludovic Giuly, Barcelona (€7 milionë, 2004)
Sulmuesi shtatshkurtër e kaloi një pjesë të karrierës në ekipin e Frank Rijkaardit. Ai fitoi shumë trofe, por në sezonet 2005-2007 nuk e lanë lëndimet, duke qëndruar në tribunë dhe në bankinë. Zhvillimi i Messisë e detyroi atë të largohej drejt Romës, por, edhe pse nuk pati paraqitje të shumta me katalunasit, medaljet tashmë i mban në shtëpi.
2. Gerard Pique, Barcelona (5 milionë euro, 2008)
Ka fituar në debutim, kur ishte vetëm një ish-rezervist në Manchester Unitedit. Në sezonin 2008/2009, Pique ka fituar gjithçka me Barçën: La Liga, Copa del Rey, Supercopa de Espana, Champions League, Super Cup e Botërorin e klubeve.
1. David May, Manchester United (1.5 milion euro, 1994)
Mbrojtës i djathtë, i cili kaloi nga Blackburn në United, gjatë verës së vitit 1994. por, në pesë vjetët pasues nuk e zhvilloi asnjë ndeshje në Ligën e Kampionëve. Mirëpo, ishte njëri prej futbollistëve aktivë që festoi pas përfundimit të ndeshjes finale ndërmjet Manchester Unitedit e Bayern Munchenit në vitin 1999, ku festuan ‘Djajtë e Kuq.