E Diel, 1 Nëntor 2026

Transferohen 200 policë pranë pikave kufitare

29/04/2010 Forcimi i kufijve

Masat në funksion të liberalizmit të vizave kanë detyruar qeverinë të marrë vendimin për dërgimin në pikat kufitare të mbi 200 punonjësve të policisë. Këshilli i Ministrave në mbledhjen e djeshme ka vendosur që punonjësit e policisë që deri tani kanë ushtruar detyrën e policëve të ruajtjes së institucioneve do të transferohen pranë Policisë Kufitare. Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se sistemet shqiptare në kufi janë ndër më modernet. Ai bëri me dije se 500 mijë euro do të vihen në dispozicion të fuqizimit të sistemeve elektronike, kryesisht serverëve dhe të gjitha potencialeve të këtyre sistemeve. “Vazhdon reforma e policisë. Këtë herë jo me shkurtime, por hiqen nga objektet 200 inspektorë dhe punonjës të Policisë së Shtetit dhe dërgohen që të gjithë në policinë e kufirit, sepse procesit të heqjes së vizave duhet t’i përgjigjemi me shkallë më të lartë të përgjegjësisë në sektorin e migracionit, të luftës kundër drogës. Në përputhje me obligimet e reja madhore që dalin nga procesi i heqjes së vizave, të gjithë sektorët që kanë të bëjnë me objektivat dhe kërkesat e udhërrëfyesit duhet të konsolidohen gjithnjë e më shumë”, - ka theksuar kryeministri Berisha. Vendimi vjen në funksion të ristrukturimit të Policisë së Shtetit, në përputhje me obligimet e reja të Shqipërisë që dalin nga procesi i heqjes së vizave. Transferimi i mbi 200 uniformave blu, sipas kreut të qeverisë, nuk ka të bëjë aspak me shkurtime në Policinë e Shtetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›