E Shtunë, 31 Tetor 2026

Transferohet në Durrës, dosja e Artan Kristos

Gjykata e Tiranës vendosi dje dërgimin në Durrës të dosjes hetimore ndaj Muhamed Abdullah, i dyshuar për nxitje të terrorizmit


I akuzuari pretendoi në Gjykatë se ka sqaruar konceptin e Xhihadit dhe se nuk ka bërë thirrje për akte terroriste

TIRANË- Në kohën kur togat e zeza të Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, mbaruan shqyrtimin e kërkesës së prokurorisë për verifikimin e masës së sigurisë "arrest me burg" dhënë në mungesë ndaj shtetasit Artan Kristo dhe delegimin për kompetencë të kësaj dosjeje në gjykatën e Durrësit, në zyrën e kryeprokurores Ina Rama takohej me ambasadorin e SHBA-së në Tiranë, Xhon Uidhers (John Uidhers). Takimi i ambasadorit Uidhers me kryeprokuroren është zhvilluar për rreth një orë në zyrën e kësaj të fundit, ku nuk bëhen të ditura asnjë nga detajet e këtij takimi. Ndërkaq, burimet zyrtare pranë dy institucioneve konfirmuan për "Shekullin" se takimi i djeshëm mes tyre ka qenë i paracaktuar kohë më parë.

Ndërkohë, burime të rezervuara pranë institucionit qendror të akuzës, saktësuan se temë e bisedës mes tyre, ndër të tjera, ka qenë edhe arrestimi i "imamit" Kristo në qytetin e Durrësit si dhe provat e gjetura ndaj personit të tij. Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, gjyqtari i masave, Gerd Hoxha, pasi morën në shqyrtim kërkesën e organit të akuzës për verifikimin e personit me masën e sigurisë dhënë në mungesë, dëgjuan avokatin mbrojtës dhe vetë të pandehurin si dhe pretendimet e prokurorit të çështjes, vendosën që i arrestuari Kristo të mbetet në qeli deri në përfundim të hetimit dhe dosja për hetim të mëtejshëm t'i kalojë Prokurorisë së Durrësit. Një vendim i tillë është marrë pasi vepra e pretenduar e konsumuar nga Kristo ka ndodhur në Shkozet, zonë që ndodhet në territorin e Durrësit që është nën juridiksionin e Prokurorisë së këtij qyteti.

Gjatë fjalës së tij para gjykatës, mbrojtësi ligjor i të arrestuarit, Ilir Malindi, akuzoi drejtuesit e institucionit të Shërbimit Informativë Shqiptar për kurth ndaj klientit të tij. "Ai është një hoxhë i cili si gjithë të tjerët i ka kthyer përgjigje njerëzve dhe besimtarëve të ndryshëm në lidhje se çfarë është dhe ç'do të thotë "Xhihad" në Islam. Klienti im, si moderator i kësaj faqeje interneti i ka kthyer përgjigje si një njeri që di të interpretojë konceptet e Kur'anit për Xhihadin. Agjentët e SHISH që nga data 28 gusht e deri më 9 shtator kanë kryer veprime të paligjshme, duke e përgjuar klientin tim pa një vendim gjykate, duke i selektuar fjalë të ndryshme nga komentet e tij për "Xhihadin" dhe ngrenë akuzë ndaj tij për nxitje të terrorizmit",- tha avokati Malindi.

"Imami" Kristo u shpreh: "Jam besimtar i devotshëm i fesë Islame dhe të gjitha ato që kam thënë për "Xhihadin" nuk përbëjnë vepër penale, pasi jam një fetar që predikoj fenë dhe interpretimet e Kur'anit tek të tjerët dhe se kam sqaruar konceptin e Xhihadit në komentet."-është shprehur Kristo. Pas këtyre deklarimeve, prokurori i çështjes, i kërkoi avokatit Malindi që çdo provë që ka ndaj personave apo institucioneve, ta depozitojë në prokurori apo gjykatë në formë kallëzimi.

Sipas prokurorit, klienti i tij me komentet dhe interpretimet e kryera në faqen e internetit "Albselefet" të moderuar nga ai, ka konsumuar elementë të veprës penale të "nxitjes, thirrjes publike dhe propagandës për kryerjen e veprave me qëllime terroriste". Për këtë qëllim, prokurori kërkoi që i arrestuari të mbetet në qeli deri në përfundim të hetimeve. Kjo kërkesë u miratua nga Gjykata që la në fuqi vendimin e dhënë pak ditë më parë me "arrest me burg" ndaj Artan Kristos, ndërsa dosja iu dërgua Gjykatës së Durrësit për kompetencë

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›