E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, të sëmurët nën rrezikun e infeksioneve

APELI/ Drejtues dhe mjekë të spitalit rrëfejnë për problemet me të cilat iu duhet të ndeshen çdo ditë në punë

Në godinën e spitalit mungon një kuzhinë, ndërsa ushqimet sillen në duar nga infermierët që nga materniteti

FIER - Ushqime për të sëmurët të cilat merren nga materniteti dhe përfundojnë në spital, veshje apo vegla që përdoren në operacione, që qarkullojnë nga një institucion në tjetrin në duart e infermierëve, probleme në instalimet elektrike, hidraulike, në suva, teksa në repartin e urgjencës, në hyrje, tavani është i shkatërruar, kurse pllakat lëvizin. Ky është vetëm një përshkrim i shkurtër i asaj çka ndodh në spitalin rajonal të Fierit si rezultat i mosinvestimeve në këtë godinë, që kanë bërë që ambientet e brendshme të amortizohen. Këtë fakt e pohon edhe vetë drejtuesja e këtij institucioni, Najada Jahiqi. Sipas saj, në këtë kompleks spitalor rajonal, ku i shërbëhet një popullate prej rreth 100 mijë banorësh, është bërë një investim para shumë vitesh në godinën e poliklinikës, përpara 3 vjetësh në godinën e spitalit pediatrik, si dhe në maternitet, i cili është më mirë nga ndërtesat e tjera, kurse në godinën qendrore të këtij spitali ka shumë probleme dhe ajo duket qysh në hyrjen kryesore të tij. Jahiqi shprehet se lidhur me situatën e krijuar në këtë godinë, ishte akorduar një fond prej 200 milionë lekë të vjetra nga buxheti i 2008-s, por në momentet e fundit ky fond nuk iu dha spitalit të Fierit me pretendimin e ndërtimit të një spitali të ri rajonal. Dhe situata sot lë vërtet për të dëshiruar.
"Ka probleme thuajse në gjithçka, - pohon drejtoresha Jahiqi. Shumëkush sapo hyn në derën kryesore, në momentin që ngre kokën, i shfaqen bimë të egra në tarracën e godinës. Probleme, sipas drejtueses së këtij institucioni, ka edhe në instalimet elektrike, hidraulike, në suva e të tjera në ambiente të brendshme të këtij spitali. Ndërkohë, në repartin e urgjencës, në hyrje të tij, tavani është i shkatërruar, ndërsa pllakat lëvizin.
Gjithashtu, në godinën e këtij spitali nuk ka një kuzhinë. Ushqimet e të sëmurëve merren në duar nga një kuzhinë tjetër, ajo e maternitetit. Infermierëve iu duhet të udhëtojnë rreth 300 metra në këmbë në kushte të vështira, sipas kohës, me ushqimet në duar nëpër këmbët e të sëmurëve ose njerëzve të tjerë. Sipas Jahiqit, kjo bëhet sepse nuk ka ambiente të mjaftueshme në këtë godinë për një kuzhinë, që ka qenë dikur, por tashmë nuk ekziston.
Kurse në sallën e reanimacionit është prishur autokllava. Kështu mjekët kirurgë, rrobat e të cilëve duhet të jenë sterile, ashtu si edhe veglat e operacionit, i marrin sërish veshjet nga autokllava e maternitetit. Edhe këto merren në duar nga infermierët duke kaluar në mes të pluhurit të rrugës derisa të shkojnë në kirurgji.
Krahas problemeve të përmendura më lart, tjetër shqetësim përbën mosfunksionimi i radioskopisë. Ajo ka rreth 9 muaj që nuk punon, edhe pse ai është një aparat modern. Firma që ka ekskluzivitetin e mirëmbajtjes ka investuar dy herë, por për shkak të luhatjes së herëpashershme të energjisë elektrike, aparati ka probleme dhe aktualisht nuk punon, duke detyruar qytetarët të shkojnë te privati ose t'i zgjidhin ato me radiografi, e cila ka më shumë probleme.
Maksim Tanaka, shefi i urgjencës së spitalit të Fierit, si dhe mjeku Anton Goga, shprehet se problemet nga të cilat vuan spitali i Fierit vijnë për shkak të mosinvestimit prej vitesh në këtë institucion. Ka ardhur koha që në Fier të ndërtohet një spital i ri, - shprehen ata. - Kjo edhe për vetë faktin se Fieri është një spital rajonal dhe ka një popullsi gjithmonë në rritje.
Kjo është situata në spitalin rajonal të Fierit, ku mjekët ankohen për problemet që kanë, duke kërkuar jo luks, por mjetet e nevojshme të punës për të realizuar kështu misionin e tyre human: shpëtimin e jetës së njerëzve.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›