E Diel, 1 Nëntor 2026

“Transferta 3 milionë euro”, Ahmetaj: Ka mbi një vit që hetohet dhe prokurori e di mirë që nuk ka asnjë

Ish zv/kryeministri Arben Ahmetaj ka reaguar pas lajmit se, Ministria e Drejtësisë ka dorëzuar kërkesë për ekstradimin e tij nga Zvicra si dhe SPAK ka rënë në gjurmët e një transferte 3 milionë euro.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Ahmetaj hedh akuza se po bëhet zhurmë me qëllim nga regjimi, sipas tij për të hequr vëmendjen nga mega skandalet e fundit.

Reagimi i plotë:

Një qëndrim përsa i përket lajmit të sotëm të rremë që Ministria e Drejtësisë paska dorëzuar një kërkesë të re për ekstradim, dua të sqaroj sa vijon:

  1. Kërkesa për ekstradim ka mbi dy vjet që është bërë me urgjencë në 18 Gusht të vitit 2023. Ligji e përcakton që bëhet vetëm një kërkesë. Dhe sikur të kishte do të ishte në vazhdën e tymnajës…
  2. ⁠Pseudo-transferta ka mbi një vit që hetohet dhe prokurori e di mirë që nuk ka asnjë transfertë midis meje dhe kujtdo tjetër, e aq më tepër biznesmenëve apo biznesmenit në fjalë. Le të ngelet si sfidë!!! Shume shpejt “përkthehet” letër-porosia.
  3. ⁠Pse bëhet zhurma e iniciuar me qëllim nga regjimi??? E thjeshtë fare! Të hiqet vëmendja nga mega skandalet e fundit dhe nga bashkëpunimi me krimin e organizuar dhe kartelet e drogës.
  4. ⁠Më shumë detaje, në vijim….

Ahmetaj ndodhet aktualisht në Zvicër, vend ku Ministria e Drejtësisë ka dorëzuar kërkesën për ekstradimin e tij.

Kujtojmë se Gjykata Europiane për të Drejtën e Njeriut do të marrë në shqyrtim ankimin e bërë nga ish-ministri dhe partnerja e tij kundër kontrolleve në banesë dhe ato personale ndaj kësaj të fundit. Ahmetaj pretendon se kontrollet janë ushtruar në shkelje të nenit 73 të Kushtetutës, që parashikon se banesa e një deputeti kontrollohet vetëm me autorizim të Kuvendit.

Ndërkohë, vetë kreu i SPAK, Altin Dumani, ka deklaruar së fundmi se Ahmetaj mbetet person në kërkim ndërkombëtar, duke shtuar se “kushdo që dëshiron të marrë statusin e të penduarit dhe të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë, është i mirëpritur”.

Përpos akuzës lidhur me dosjen “Buka”, Ahmetaj është duke u hetuar edhe për tre vepra penale të tjera penale, si “pastrim parash”, “fshehje të pasurisë” dhe “korrupsion pasiv”, në lidhje me dosjen e inceneratorëve. Prej vitit 2023, ai është në arrati pasi nuk ndodhet në Shqipëri, ndërsa ka mohuar të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›