E Diel, 1 Nëntor 2026

“Transmetimi 2”, gjykata izolon në burg tre biznesmenët

02/08/2011  Për 9 të arrestuarit e tjerë caktohen masa e arrestit shtëpiak dhe detyrim paraqitje

Grupi vepronte në gjashtë qytete, shpërndate sinjal TV pirat

TIRANE- Gjykata e Tiranës ka lënë të lirë nëntë nga 12 të arrestuarit e policisë si të dyshuar në vepra kriminale nëpërmjet sistemit kompjuterik. Vendimi për caktimin e masës së sigurisë është marrë dje nga togat e zeza, të cilët kanë vendosur të lënë në burg vetëm tre të arrestuarit, biznesmenët Aldo Frashëri, Klodian Braçe dhe Altin Hoxha, ndërsa për pjesën tjetër gjykata ka vendosur masat e arrestit shtëpiak dhe detyrim paraqitje. Meqenëse personat që kryenin krimin ishin të vendosur në katër qytete, policia e Tiranës e realizoi këtë aksion në bashkëpunim me policitë lokale të Elbasanit, Fierit, Durrësit dhe Gjirokastrës. Bazuar në informacionet paraprake, policia tha se në kuadër të operacionit policor “Transmetimi 2” u zbatuan 20 vendime të gjykatës së rrethit gjyqësor të Tiranës për lejimin e kontrollit të ambienteve në disa subjekte tregtare dhe banesa të cilat ndodheshin në qytetet Tiranë, Elbasan, Durrës, Gramsh, Mallakastër, ku në këto ambiente dyshohej se nëpërmjet pajisjeve elektronike dhe internetit është transmetuar në mënyrë të paligjshme sinjali i disa kompanive televizive dixhitale, si “Digitalb”, “Tring”, “Sky”, “Nova” etj. Nga kontrolli i pikave të shpërndarjes janë sekuestruar 46 aparate te ndryshme të klonuara për marrjen dhe transmetimin e sinjaleve televizive. Nga kontrollet janë sekuestruar edhe 9 sisteme kompjuterike të përshtatura si servera, për administrimin e rrjetit të transmetimit, gjashtë njësi kompjuterike “Laptop”, 4 copë Modemë, 134 CD dhe 36 copë karta televizive dixhitale të ndryshme. Burimet zyrtare të policisë thanë se pas gjetjes së këtyre provave është vendosur arrestimi në flagrancë i 12 personave që hetoheshin që prej gjashtë muajsh në kuadër të procedimit Nr.945 të vitit 2011 për veprën penale “Mashtrim kompjuterik”.

Tabela e masave

1. Ervin Capi “arrest shtëpie”

2. Doriaj Ligori “detyrim paraqitje”

3. Boiken Koçi “detyrim paraqitje”

4. Erlin Shehaj “detyrim paraqitje”

5. Petrit Dilaveri “arrest shtëpie”

6. Kidas Mehemti “detyrim paraqitje”

7. Aleks Çuko “arrest shtëpie”

8. Enri Miho “detyrim paraqitje”

9. Aldo Frashëri “arrest burg”

10. Klodian Braçe “arrest burg”

11. Vasil Fani “arrest shtëpie”

12. Altin Hoxha “arrest burg

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›