Transplantimi i veshkave, përzgjidhen dy pacientët e radhës
Transplantimi i veshkave, përzgjidhen dy pacientët që do t’i nënshtrohen kësaj ndërhyrjeje. Lajmin e konfirmoi dje për gazetën “Albania”, shefi i Pavijonit të Urologjisë, doktor Nestor Thereska. Doktori shpjegoi se është përgatitur salla specifike me të gjitha aparaturat që duhen për të kryer trasplantet. Gjithashtu, janë gati për ndërhyrjen kirurgjikale edhe dy çiftet e para, të cilëve u janë bërë analizat e pajtueshmërisë indore si dhe të përputhshmërisë të grupit të gjakut. Transplantimi i veshkave do të kryhet nga urologët shqiptarë me asistencën e mjekëve italianë, në klinikën e QSUT-së. “Dosja e dy të sëmurëve, bashkë me gjithë analizat pre operacionale i ka kaluar Drejtorisë Spitalore për miratim dhe sapo të bëhen nga ana e tyre verifikimet e nevojshme dhe të konfirmohet prania e mjekëve italianë ndërhyrja do të realizohet. Dhuruesit e organit vital janë familjarët e pacientëve. “Nuk mund të japim datën fikse se kur do të kryhen ndërhyrjet kirurgjikale të programuara sepse kirurgët tanë, edhe pse kanë kualifikimin dhe aftësinë e duhur, akoma nuk mund t’i marrin përsipër këto dy operacione pa asistencën dhe mbikëqyrjen e mjekëve italianë”,- shpjegoi Thereska. Pas operacionit të parë që u krye në Shqipëri, në qendrën universitare “Nënë Tereza” në 26 Mars, janë realizuar me sukses edhe pesë operacione të tjera të këtij lloji. Ndërhyrjet kirurgjikale janë kryer në Spitalin Amerikan të Tiranës në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë shqiptare. Të gjitha kostot e operacionit janë mbuluar nga fondi i qeverisë shqiptare. Pas operacionit pacientët kalojnë në pavijonin e Urologjisë në QSUT dhe mbikëqyren nga urologët e kësaj qendre. Që prej vitit 2006 në Shërbimin e Nefrologjisë ekziston dhe Njësia Kombëtare e Transplantimit.
5 Qershor 2010