Studentët japin ndihma për fëmijët e Onko-Hematologjisë
Studentë të fakulteteve të ndryshme kanë qenë dje në Pavijonin e Onko-Hematologjisë, për të dhuruar medikamente dhe dhurata për pacientët e vegjël të këtij shërbimi. Kanë qenë mbi 20 studentë, të cilët, me të ardhurat e tyre kanë bërë të mundur blerjen e medikamenteve të kimioterapisë për këta fëmijë. “Ka qenë një fond prej 100 mijë lekësh të cilat janë siguruar nga studentët e Shoqatës ‘Ardhmëria’. Në këtë shoqatë nuk janë vetëm studentë të Fakultetit të Mjekësisë, por edhe të fakulteteve të tjera si Ekonomik, Filologjik, Inxhinieria etj. Duke qenë se ne studentët e Mjekësisë ishim në vitin e fundit, ku përfshihet edhe lënda e pediatrisë kemi vendosur t’u vijmë në ndihmë këtyre fëmijëve të vegjël”, - kanë pohuar studentët e Fakultetit të Mjekësisë. Ndërkohë stafi mjekësor i këtij pavijoni ka bërë apel për dhurim vullnetar të gjakut, për të ndihmuar këtë kategori të pacientëve. Në të njëjtën kohë i është bërë apel edhe bizneseve për të qenë më afër këtyre pacientëve, për t’u organizuar festa dhe aktivitete të tilla duke krijuar atmosfera të këndshme, në mënyrë që ata të harrojnë disi sëmundjen e rëndë.
Alarmi, dyfishohet numri i tumoreve brenda 20 viteve
Në 20 vitet e fundit është rritur ndjeshëm numri i pacientëve që vuajnë nga lloje të ndryshme të tumoreve, duke e dyfishuar atë, krahasuar me vitet para ‘90. Numri i lartë i të prekurve nga tumoret ka bërë që Shqipëria të renditet në listën e vendeve që kanë shifra të larta të pacientëve që vuajnë nga kjo sëmundje. Shefi i Shërbimit të Onkologjikut në QSUT, thotë se diagnostikimi i hershëm i pacientëve, është një nga prioritetet e strukturave të shëndetësisë. “Nga viti ‘90 deri në vitin 2010 ne kemi dyfishim të rasteve me kancer në Shqipëri. Si në mbarë botën dhe në vendin tonë nuk bëjnë përjashtim, te meshkujt, kanceri që prek më tepër është ai i mushkërive dhe te femrat kanceri i gjirit”, - tha Agim Sallaku, shef i Shërbimit të Onkologjisë. Ndërkaq, sipas tij, problematike, mbetet dhe vdekshmëria, pasi mungon sensibilizimi i qytetarëve. “Vdekshmëria vazhdon të mbetet e lartë, sepse fatkeqësisht ende popullsia shqiptare nuk është ndërgjegjësuar siç duhet që kanceri nuk është më një fatalitet, por një sëmundje që mund të shërohet, dhe mund t’ju them që sot në botë, rreth 50 për qind e rasteve me kancer mund të shërohen ose të kenë mbijetesa jashtë mase të gjata”, - shpjegon Sallaku. Këto deklarata u bënë dje gjatë një konference në praninë e kryetarit të Komisionit të Shëndetësisë, Tritan Shehu, i cili u shpreh se vitin e ardhshëm në Shqipëri do të mbahet konferenca më e rëndësishme e kontrollit të kancerit, e cila organizohet nga Task-Forca e Mesdheut, për kontrollin e tumoreve.
5 Qershor 2010