E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ramiz Alia: Ja testamenti i Enver Hoxhës

Ish-presidenti Alia rrëfen të kaluarën e tij pas botimit të librit “Jeta ime”. Raportet me Enver Hoxhën, Mehmet Shehun deri tek Sali Berisha

Presidenti i fundit i sistemit komunist, Ramiz Alia ka rrëfyer për herë të parë testamentin që la Enver Hoxha një muaj para vdekjes. Në një intervistë për gazetarin Alfred Peza në emisionin “Ora e Debatit”, Alia ka treguar në detaje për të kaluarën e tij, raportet me Enver Hoxhën, Mehmet Shehun, deri tek ndryshimi i sistemit politik në Shqipëri. Ai ka dëshmuar për zhvillime të cilat janë përmbledhur në librin me kujtime “Jeta ime”, botimi fundit që ish-presidenti Alia ka nxjerrë në qarkullim para pak javësh. Gazeta po boton me shkurtime intervistën që drejtori i Ora News mori me ish-presidentin Alia

Ju keni shkruar shumë libra, mes të cilëve, “Unë Ramiz Alia rrëfej historitë” dhe shumë libra të tjera me intervista të gjata, me gazetarë kosovarë, me impenjime të tjera të letrave, të cilat janë grumbulluar në formën e disa librave. Pse ishte i domosdoshëm pikërisht ky libër dhe pse gjithë kjo rrokje e jetës suaj nga fillimi deri në fund, ndërkohë që në këto libra është dhënë në fakt kjo jetë...?!

Ato, librat e mëparshëm, siç e thatë edhe vetë, ishin të pjesshme. Domethënë ishin për ngjarje të veçanta, për pjesë të veçanta. Në këtë libër unë, duke marrë parasysh dhe moshën, duke menduar që unë me këtë libër mbyll shkrimet me jetën time...

Pra nuk do shkruani më?
Nuk besoj të arrij të shkruaj më, nuk besoj, por ajo nuk dihet, mund edhe të vihem të shkruaj prapë. Por them në këtë libër, vendosa të shkruaj për jetën time, kujtimet e jetës sime. Prandaj edhe filloj që nga fëmijëria, shkruaj për familjen time, për vëllezërit, motrat, për jetën time personale, deri për martesën time, për fëmijët e mi, pastaj për shkollën, për shokët e mi, përshkruaj me hollësi disa nga shokët e mi me të cilët jo vetëm kemi qenë shokë të shkollës, por u bëmë shokë të luftës. Jo vetëm luftuam së bashku, por ndonjë prej tyre edhe u vra, që shkakton dhimbje, por u vra heroikisht, siç është rasti i Manush Halimanit, të cilin unë e përshkruaj një çikë me dhimbje të madhe, por edhe me dashuri të madhe njëkohësisht.

Nëse jetës suaj do t’i vihej një diçiturë, si do dëshironit ju të ishte ajo diçiturë?
Nuk e kam menduar, është e vështirë t’i ve vetes...

Do t’ua lini tjerëve ta vendosin...
Do t’ua le të tjerëve....

Kush është kujtimi më i hershëm që ju ka ngacmuar gjatë jetës?
Nuk ka dyshim që përshtypjet më të mëdha, ne të kësaj moshe, i kemi nga lufta, nga fillimi i luftës, atëherë kur ishim fare të ri...

Kur ratë në kontakt për herë të parë në një celulë komuniste?
Unë e kam shkruar edhe në libër. Ju e dini nga historia që Partia Komuniste u krijua në nëntor të vitit 1941. Kurse organizata e Rinisë Komuniste është krijuar në 20 janar të vitit 1942. Unë jam pranuar në rininë komuniste menjëherë, që në janar. Por, isha në grupet e rinisë komuniste që përpara, që nga dhjetori apo nëntori. Por futur në rininë komuniste, në janar.....

Në atë kohë sekretari i Rinisë Komuniste ishte Qemal Stafa. Ju e keni takuar Qemal Stafën?
Atë e kam takuar pikërisht në janar të 1942. Në 21 janar ishte përvjetori i vdekjes së Leninit dhe në një shtëpi ilegale...

Ky ishte takimi i parë dhe i fundit?
I fundit, se nuk e takova më, më 5 maj pastaj Qemali u vra.

Ku ishit më 5 maj dhe ku e mësuat vrasjen?
Ishim nxënës në shkollë; në gjimnazin e Tiranës dhe kur erdhi lajmi që u vra Qemal Stafa. Atëherë u bë në gjimnaz, erdhi një shok, ilegal ishte, i cili foli në një pushim aty, erdhën të tërë nxënësit. Ai vetëm dha një përshëndetje për Qemal Stafës....

A flitej për një vrasje të dyshimtë të Qemal Stafës, për ndonjë tradhti?
Në atë kohë jo.

Po më vonë?
Më vonë kemi lexuar. Edhe sot e kësaj dite lexon gjithmonë materiale të ndryshme për atë.

Për ju ka pasur diçka të dyshimtë në vrasjen e tij?
Nuk ka pasur ndonjë gjë. Ishte një rastësi që ndodhi, meqë një shoku i zunë dokumentet që i kishte në shtëpi. Rastësisht i gjeti policia në shtëpi dhe pikë.....

Kur keni dëgjuar fillimisht për Enver Hoxhën dhe më pas takuar?
Herën e parë që e kam parë Enver Hoxhën ka qenë në demonstratën e parë që është bërë në Tiranë, në tetor të vitit 1941.

Si e njohët që ishte Enver Hoxha?
Në këtë demonstratë, në një moment të caktuar, nga fundi i demonstratës, ne të rinjtë, pasi kishim bërë një xhiro nëpër qytet, dolëm tek sheshi “Skënderbej”. Në atë kohë, karabinieria italiane sulmon të rinjtë dhe filluan të godasin me shkopinj, me bajoneta. Në atë moment, ne të rinjtë pamë një burrë të gjatë, i cili u fut në mes dhe zuri atje komandantin e karabinierëve, që ishte kolonel, Ai e zuri për fyti, i ra një grusht dhe e rrëzoi përtokë. Të tërë ne pamë dhe pyetëm: Kush është ky? Disa e njihnin Enver Hoxha. Këtu e kam dëgjuar për herë të parë.

Pra ky moment nuk ka qenë legjendë e propagandës komuniste, se është shkruar...
Jo jo, e pamë me sytë tonë. Atëherë nuk e kam takuar.

Kur e keni takuar?

Në vitin 1942, pasi ishte bërë partia, etj., ai rrinte në shtëpinë e Zeqi Agollit, ilegal. Me Zeqiun unë isha shumë shok dhe shpesh shkonim në shtëpinë e atij për të bërë detyrat e shkollës. Një ditë vajtëm atje, bëmë detyrat, kur dolëm nga dhoma e detyrës, po zbrisnim poshtë, kur në korridor na del përpara Enver Hoxha. E para herë e shikoja. Ai i tha Zeqiut, ky është shoku yt që më ke folur. Po, i tha Zeqiu. Si je? - më tha. Mirë - i thashë unë. Po mësoni? Mësuam - i thamë. Duhet të jeni nxënës të mirë, na tha. Kaq....

Më pas si shkuat?
Takimin tjetër me Enver Hoxhën e kam bërë në mars të 1944, u bë një kurs teorik për disa kuadro të rinisë, jo vetëm të rinisë, të Partisë, të Brigadave, të Jugut. Ishin vetëm Qarku i Korçës, Vlorës, Gjirokastrës dhe Beratit. U bë kjo në Panarit të Korçës. Atje ishin jo vetëm Enver Hoxha, por ishte edhe Koçi Xoxe, Bedri Spahiu, Ymer Dishnica etj., të cilët bënin një kurs teorik. Aty ka folur Enver Hoxha. Aty e kam takuar, pasi më thirri në mënyrë të veçantë. Më tha, ti nuk do të jesh më në Rininë e Beratit; do të kalosh në Brigadë...

Ky ishte takimi i fundit i juaji gjatë luftës?
Pas kësaj e kam takuar në Kongresin e Rinisë, në gusht të 1944, në Skrapar. Pastaj e kam takuar në fund të luftës, në dhjetor të 1945, ku u emërova komisar Politik i Divizionit të 5. Më thirri dhe më dha udhëzime se çfarë duhet të bëjmë ne atje; sidomos, më foli shumë gjatë për Kosovën, çfarë duhet të bënim ne me kosovarët, si duhet të silleshim, si duhej rinia e Kosovës, kuadrot e Kosovës, me qëllim që populli i Kosovës të zhvillohej, të fitonin ato tiparet e domosdoshme për të qenë një vend si Shqipëria, i lirë, i pavarur....

Ju thoni se në 45 vjet ju nuk keni marrë asnjë sinjal hapje nga Perëndimi?
Nuk kemi marrë efektivisht.

Nëse do të merrnit sinjale, do i mirëprisnit?
Nuk e di. Efektivisht në 1984, kur anglezët dhe amerikanët kërkuan që të bisedonim lidhur me çështjen e Kanalit të Korfuzit, incidentin e kanalit, për gjyqin e Hagës, por që kishin të bllokuar floririn e Shqipërisë, Enver Hoxha autorizoi në atë kohë, të diskutohet për këtë çështje.

Kë autorizoi?
Ministrinë e Jashtme tonë, lidhur me arin dhe me incidentin e kanalit e Korfuzit. Kjo ishte një përhapje, ishte fleksibël, donim ne për t’u hapur, por kjo nuk justifikon mbylljen e përgjithshme tonën.

Zoti Alia, ju keni reflektuar dhe njohët disa nga gabimet e asaj periudhe. Sa nga këto gabime ia njihni dhe Enver Hoxhës? Kush kanë qenë gabimet e Enver Hoxhës, e parë nga ky kënd sot.
Unë nuk mendoj kështu, unë mendoj se ajo që është bërë mirë dhe që ajo është bërë keq, ka qenë kolegjiale. Nëse ka pasur gjëra të mira, ka bërë Enver Hoxha, i kemi bërë të tërë. Nëse ka pasur gjëra të këqija, i ka bërë Enver Hoxha, i kemi bërë të tëra.

Ju e njihni si gabim të Enver Hoxhës faktin e gjatë 25 viteve, disa nga bashkëpunëtorët e tij të afërt, të punës më vonë, u eliminuan më vonë në të ashtuquajturën grupe armiqësore. A ishte kjo një përpjekje e tij për ta pasur fushën rreth e rrotull tij të pastër që askush të mos ia vinte në dyshim, ka lidhje kjo gjë?
Unë e theksoj edhe njëherë, nuk i krahasoj kështu dhe nuk i gjykoj kështu gjërat. Se më thua ti Enver Hoxhës, pse mos të them Mehmet Shehut, për shembull, pse të mos them Ramiz Alisë. Se Mehmeti ishte viktimë vetë më vonë...

Mehmeti ka qenë më aktiv se Enver Hoxha?
Të gjithë kanë qenë aktiv. Unë të thashë s’i ve gisht as atij, unë quaj se të gjitha veprimet kanë qenë veprime që lidhen me një vijë të partisë, që kishin një vijë të caktuar partisë, që përgjigjeshin të gjithë. Nuk dua të vej gisht.

Duke menduar nga një distancë kohore, 20 vjet pas rrëzimit të komunizmit në Shqipëri. Mos u teprua pak me këto dënimet e shokëve tuaj të asaj periudhe, a ka pasur teprime?

Ky është një problem tjetër. Unë e thashë, kjo hyn në kuadrin e asaj që thamë përpara, në zhvillimin e luftës së klasave, e cila pa dyshim që është tepruar, pa dyshim ka kaluar kufijtë e realitet. Në këtë kufij të realitet përfshihen edhe raste të tilla. Unë e kam thënë edhe në një vend tjetër, jo në këtë libër; s’e mbaj mend në e kam shkruar, disa gjeneralë u akuzuan dhe u dënuan si tradhtarë të atdheut të lidhur me të huajt etj..

Pa qenë të tillë...
Sigurisht që pa qenë, ata u dënuan. Çfarë ndodhi? Ndryshoi sistemi. Në këtë sistem të ri të demokracisë pluraliste, të gjithë këta njerëz nuk u hodhën në kampin kundërshtar; përkundrazi, vazhduan të jenë me atë parti me të cilin kishin qenë, ose në atë bllok që kishin qenë....

Përveç gjeneralëve që ju i quani një tejkalim të së drejtës për t’i dënuar deri në atë masë që u dënuan, kush tjetër ish-udhëheqja e lartë e asaj periudhe, apo ish-ministra, mendonin se në një farë mase është tejkaluar e drejta për ta dënuar? Kë konsideroni që nuk ishin fajtor dhe u dënuan si të tillë? Për shembull, Todi Lubonja, Kiço Ngjela etj.?

Në librin tim kam folur për Todi Lubonjën, sepse mendoj se ai grup i Todit, i atyre shokëve që ishin, grupi i kulturës, ata u dënuan, por për mendimin tim ishte një veprim i nxituar. Nuk ishin ata fajtorë për atë çështje, unë kam qenë vetë pjesëtar, madje në atë grup edhe unë kam marrë dënim. Në atë mbledhje që janë dënuar ata. Mendimi im ka qenë dr nuk duhesh shkuar në ato ekstreme ku shkoi dënimi, por nuk mund të them këtë gjë për Mehmet Shehun. Nuk e them dot...

Çfarë nuk thoni dot se Mehmet Shehu...
Ai ia bëri vetës.

Në ç’kuptim?
Të gjithë procedurën, deri tek vetëvrasja.

U vetëvra apo e vetëvranë?
Ai u vetëvra.

A u detyra nga rrethanat të vetëvritej?
Nuk besoj se asnjë njeri në botë nuk vret veten nëse nuk ka rrethana të atilla që e çojnë në vetëvrasje. Unë jam i bindur që Mehmeti vrau veten sepse nuk duronte dot kritikat, vërejtjet e ndryshme. Ajo psikozë që mundonte Mehmetin u duk në Kongresin e Partisë, nëse ju kujtohet në atë kohë. Mehmeti nuk kishte gjallëri në shkathtësinë e tij; përkundrazi, megjithëse ai foli, por më tepër recitoi se sa foli....

Ku ishte gabimi që kishte bërë Mehmet Shehut?
Gabimi i rëndë që bëri Mehmeti ishte ai gabim që Mehmeti e dënonte vetë dhe ka dënuar shumë njerëz për atë gabim, që lejoi fejesën e djalit me një familje që konsiderohej në atë kohë e deklasuar. Mehmeti këtë gjë nuk e bënte për të tjerët.

Mos ishte një kurth që iu bë Mehmetit?
Jo, e zgjodhi vetë. Unë nuk diskutoj problemin si e bëri, qysh e bëri.

Ky është mëkati më i madh që ka bërë Mehmet Shehut?
Ai është një mëkat që ka bërë.

Ju edhe sot mendoni që Mehmet Shehu ishte një poli agjent?
Ah. Ky është një tjetër problem. Ky problem është tjetër. Për sa i përket asaj që thuhet për Mehmetin, unë për vete personalisht nuk kam ditur se çfarë dokumentesh kishte. Pasi u vra Mehmet Shehu, mua më thirri në zyrë Enver Hoxha dhe më pyeti: Ti je në dijeni të atyre dokumenteve që na kanë ardhur në vitin 1964 nga Vjena lidhur me Mehmet Shehun. Unë me të vërtetë nuk dija gjë dhe i thashë: “Jo, nuk jam dijeni”. Më tha që kanë ardhur atëherë disa dokumente me të cilat tregohej se Mehmet Shehu ishte agjent i anglezëve, por unë dhe Hysniu i lexuam, i pamë, por konkluduam që mund të ishte një provokacion i rusëve për të na përçarë.

I kishte sjellë ambasada jonë? Ku i kishte marrë?
I kishte dorëzuar një X njeri, i panjohur, pa emër. Këto dokumente Enveri u ngrit nga tavolina e tij, shkoi në kasafortën e Hysniut, i cili kishte vdekur, nga atje i nxori dhe m’i dha mua: “Shikoji”, - tha. Unë i pashë një e nga një, skeda, anglisht ishin të tëra. Me porosi të tij i mora dhe i çova për përkthim.

Këto ishin materiale të shkruara në mënyrë të thjeshtë, apo ishin dokumente komprometuese që Mehmet Shehu kishte firmosur diçka ose...
Jo. Nuk kishte firmosur; ato ishin skeda, ku Mehmet Shehu pretendohej të ishte agjent. Më vonë, në vitin 1987 ambasadori jonë në Argjentinë, merr nga një njeri prapë, një amerikan, një letër, në të cilën thotë se dokumentet që u janë dhënë ju në Vjenë janë të sakta. Ky ambasador, në atë kohë, dërgoi një letër për Komitetin Qendror të Partisë. Unë e kam marrë atë letër në mbledhjen e parë. Në fund të mbledhjes, ua kam lexuar anëtarëve. U thashë që po ua lexoj këtë letër; iu thashë se nuk dua asnjë koment, asnjë diskutim, thjesht ua lexova për dijeni dhe kjo letër të futet në arkiv, duhet të jetë në Arkivin e Shtetit. Pse unë nuk kërkova diskutim? Sepse janë diskutime në erë.

Ju mos e lexuat me qëllimin që t’i mbushnit mendjen, shokëve tuaj të Byrosë se Mehmet Shehu ka qenë agjent dhe unë meritoja të isha pasardhësi i Enver Hoxhës?
Jo, jo, s’kam të atilla punëra. Unë e lexova se erdhi, se po ta kisha futur në sirtar, sot e pe ti, ai djali doli dhe e bëri botërisht; po të mos e kisha lexuar unë, sot do të ngriheshin të gjithë dhe do të thoshin pse e ke fsheh.

Vërteton kjo realisht që Mehmet Shehu ka qenë agjent?
Unë them këtë gjë në libër, që këto janë lexuar, janë të shkruara, por a janë të vërteta, askush s’e thotë dot. Nuk ka asnjë dokument që të thotë këto janë të vërteta. Çfarë do të thotë të thuash që janë të vërteta? Ato janë, X-i bëri këtë; takojeni filanin, merrni të dhëna nga filani. Unë mund të them sa të duash. Derisa nuk ka ndonjë dokument që ky ka qenë, ma vërtetoi, tani s’them dot. Nëse më bën mua pyetjen a ka qenë? Unë të them s’di gjë, s’mund të them që ka qenë apo s’ka qenë. S’kam asnjë dokument.

Për ata që kanë dyshime se Mehmet Shehu mund të jetë vrarë, si mund t’i hiqen këto dyshime, duke pasur teori që ka bërë rrugë të nëndheshme poshtë vilës...
Kur është vetëvrarë Mehmet Shehu, të nesërmen në mëngjes më mori në telefon oficeri i tij, Ali Çeno. Më mori në telefon dhe më thotë, ore ky ka vrarë veten. Kush ky, i thashë unë. “I the kujt?” - i thashë unë. “Po”, - tha, - “njoftova ministrin e Brendshëm”. Në atë kohë ishte ministër Feçor Shehu....

Po një luftë e ftohtë, e heshtur, e nënkuptuar ndoshta më shumë, për pasardhësin e Enver Hoxhës ka pasur?

Nuk ka pasur fare. Deri në minutën e fundit të gjithë ne, duke përfshirë edhe mua që po flas, ishim të bindur se pasardhësi i Enverit ishte Mehmet Shehut, veçanërisht pas vdekjes së Hysni Kapos, kjo u bë fare e qartë. Pse? Mehmeti ishte kryeministër; u bë edhe ministër i Mbrojtjes, u bë dhe sekretar i Komitetit Qendror të Partisë sepse mori vendin e Hysniut’ me një fjalë zuri të gjithë postet themelore në qeveri dhe parti. Të tërë e respektonin...

Pas vdekjes së Mehmet Shehut, pasardhësi menjëherë u mendua që mund të ishit ju, apo kjo gjë me kalimin e kohës filloi të ngjizej?

Është menduar. Unë për veten time s’e kam menduar, por ishte pak a shumë, se unë kisha edhe funksionin e sekretarit të Komitetit Qendror, u bëra dhe President i Republikës. Kështu që, mora dy funksione.

Atëherë fillove të kuptosh se mund të ishit ju pasardhësi...
Kjo ishte një shenjë që siç duket do të zëvendësoja.

Enver Hoxha ua ka thënë ndonjëherë këtë?
Jo. Në fund, diku nga viti 1984-1985, një muaj përpara se të vdiste, ishim në shtëpinë e tij, unë, Adili dhe Hekuran Isai. Po diskutonim për probleme të ndryshme. Ai tha: E shikon; Unë jam sëmurë, do ta kem të gjatë. Nuk e di, por tani çdo gjë iu bie juve. Ti, - i tha Adilit, - interesohu për problemet ekonomike; Hekuranit i tha të merret me problemet e Brendshme të vendit. Mua mu drejtua: Ti merru me çështjet politike. “Ju të tre, - na tha, - e keni në dorë të gjithë punën”. Ky ishte testamenti i tij. E kam shkruar edhe në libër, përveç kësaj asgjë tjetër më nuk ka thënë....

Nexhmije Hoxha, pasi vdiq Enveri, është prononcuar në forume që Ramiz Alia do të jetë, apo ishte natyrale dhe s’kishte lidhje?
Zgjedhja ime është bërë pas vdekjes së Enverit. Madje, më duket se është bërë para ceremonisë së varrimit. Kam pasur mendimin që të lihej disa kohë, të qetësoheshin gjakrat, nuk doja që të bëheshin me urra, si thonë fjalës. Shumica e shokëve insistuan; thanë të mos lemë kot diskutime; si do të bëhet, kush do të bëhet. ....

A kishit indikator nga shërbimet sekrete që gjërat po lëviznin, indikatorë nga shkrime që bënin intelektualë të ndryshëm, Ismail Kadare, Sali Berisha, Ylli Popa, Servet Pëllumbi e kështu me radhë...
Po. Domethënë indikatorë nga organet e sigurimit nuk kam pasur gjë. Nga këto këtu nuk kishte gjë. Në gusht të vitit 1990 unë kam bërë një mbledhje të intelektualëve në Tiranë, ku ishin të gjithë këto emra që përmende ti, pra Ismail Kadare, Sali Berisha, Dritëro Agolli, ishin 100 e disa intelektualë. Kërkoja nga ata mendimin lidhur me zhvillimet, çfarë propozimesh bënin. Në atë kohë ne kishim shtruar problemin e demokratizimit të jetës, në kuptimin që të demokratizohej mendimi, që çdo njeri të fliste lirisht.

A mund të kishte demokraci mendimi pa demokraci politike?
Do të vij edhe këtu. Në këtë plan që them unë, folën të gjithë shokët, ishin të këtij mendimi që thashë edhe unë. Në një moment, kur e pashë që nuk po shkonin më tej, shtrova unë çështjen: Ore shokë, si mendoni; A duhet ne të kalojmë tek pluripartizmi? Përgjigjen e parë e dha Luan Omari, që e shpjeguan se pse tek ne nuk janë kushtet për pluripartizëm. Pastaj foli Sali Berisha...
Tha se koha nuk është tek ne sepse populli nuk është i përgatitur, nuk e ka kulturën e duhur për një shoqëri pluripartizmi. Kadare nuk foli. E pyeta unë se çfarë mendonte. Ai tha se këto çështjet juridike s’i merrte vesh.

Ai të kishte çuar letër përpara...
Po. Unë i thashë, nëse ka një njeri që e di këtë punë je ti, por nëse s’do të flasësh mos fol. Pastaj kaloi me të qeshur. Pra, mendimi i tyre ishte “Jo”. Kjo ishte në gusht të 1990. Pa dyshim që kanë pasur shumë arsye që ato u rezervuan për këtë, por sidoqoftë, kaq thanë. Kur erdhi lëvizja studentore, atëherë unë dhe shokë të tjerë ishin të bindur se tashmë nuk ka çfarë bëhet në rrugën socialiste, por duhet kaluar në pluripartizëm....

Sali Berisha, a ishte pjesë e elitës intelektuale të Tiranës së asaj kohe?
Pa dyshim. Kishte shkruar edhe në shtyp në ato kohë. Mendimet e veta kishin karakter demokratik. E thirra Saliun; kam bërë muhabet as 2 minuta. I thashë: “Të lutem shumë, meqë do të shkosh tek studentët, i thuaj nga ana ime se unë nuk vajta sot sepse ato nuk vajtën (në leksione, - shën. Red.), nëse ata nesër shkojnë në shkollë unë vete pasdite tek ata. Kaq edhe asgjë tjetër.

A mund të konsiderohet kjo që ju e çuat Sali Berishën tek studentët në atë kuptim që ishte i dërguari juaj për të bërë pluralizmin, si vijues i mësimeve tuaj?
Jo s’ka lidhje; s’ka asnjë lidhje tjetër. Ky ishte misioni që i ngarkova unë. Ai vajti, se çfarë ka thënë, unë nuk e di. Di vetëm që erdhi tek unë në 12.30 të natës; më tha këto fjalë: “i thashë unë i the, vajta më tha, me ata nuk merresh vesh, çfarë thotë njëri nuk thotë tjetri”. “Mirë, - i thashë unë, - ia the ato që të thashë”. “Ia thashë”, -, më tha. “Mirë, - i thashë unë, - faleminderit, natën e mirë”. Kaq edhe asnjë fjalë tjetër.

Pastaj e keni takuar si kundërshtar politik?
Madje pas dy ditësh e mora vesh që ka aderuar.

Ju thatë që nuk keni pasur një rol specifik për dërgimin e Sali Berishës në krye të lëvizjes studentore dhe themelimit të PD-së. Ai ishte një proces përtej vullnetit tuaj? S’mund ta kontrollonit dot besoj?
Çfarë ka bërë Saliu është punë e Saliut. S’kishte punë me mua. Me mua kishte vetëm t’i transmetonte atë që nuk vajta; pse s’vajtën ata në mësim dhe do të veja nëse do të vendin ata në mësim.

5 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›