E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhuna në familje, policia merr në mbrojtje dy gra



DURRËS – Dy gra janë marrë në mbrojtje nga policia pasi janë dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht duke u rrahur, keqtrajtuar, kërcënuar dhe ofenduar sistematikisht. Kështu pretendojnë dy gra që janë paraqitur në polici dhe kanë denoncuar bashkëshortët. Burime zyrtare nga Policia e Durrësit thanë se pas denoncimit të tyre është lëshuar edhe një urdhër për mbrojtje të menjëhershme. Mësohet se denoncuesja e parë mban inicialet D. L., 26 vjeçe, e martuar, me dy fëmijë, lindur në Thumanë të Krujës, e cila ka paditur burrin e saj me inicialet E. L. për dhunë sistematike të ushtruar ndaj saj. Ndërsa gruaja e dytë që ka denoncuar bashkëshortin e saj mësohet se mban inicialet Sh. K., 32 vjeçe, lindur në Selishtë të Dibrës dhe banuese në Kënetë të Durrësit, e martuar dhe me tre fëmijë. Ajo ka ngritur padinë e saj për bashkëshortin 36-vjeçar me inicialet SH. K. për ushtrim ndaj saj të dhunës fizike e psikike duke e rrahur, keqtrajtuar, kërcënuar dhe ofenduar sistematikisht. Lidhur me dy rastet në fjalë, nga ana e policisë u kryen veprimet e para procedurale, ndërsa materialet i kaluan për ndjekje të mëtejshme Gjykatës së Durrësit.

Vjedhin miliona lekë, arrestohen 2 persona
POGRADEC - Policia e qytetit të Pogradecit ka bërë të mundur arrestimin e dy personave pasi akuzohen për vjedhje. Burime nga policia e Pogradecit theksojnë se sot u bë i mundur arrestimi në flagrancë për veprën penale të "vjedhjes" i shtetasve M. Pilinci dhe Enea Kadilli, të dy nga 25 vjeç, nga fshati Buçimas i Pogradecit. Arrestimi i tyre u krye pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ditën kanë vjedhur dhe kanë përvetësuar në banesën e shtetasit A. Picili 6200 euro dhe 20000 lekë. Ndërkohë, materialet për këtë ngjarje i kaluan Prokurorisë për hetime të mëtejshme.

Vjedh makinën dhe më pas e braktis në rrugë

ELBASAN - Bashkë me një person tjetër vodhi një makinë, e ndërsa shoku i tij është kapur nga forcat policore, ai vetë është shpallur në kërkim prej tyre. Fjala është për personin me inicialet S. S., 17 vjeç, banues në qytetin e Elbasanit, i cili figuron si autor i vjedhjes së mjetit “Opel”, me targë EL 0514 C, në pronësi të personit me inicialet A. Q., 45 vjeç, edhe ky banor i Elbasanit. Ndërkaq, mësohet se ky mjet u gjend më pas i braktisur nga shërbimet e policisë dhe se personi tjetër që bashkëpunoi për këtë vjedhje është një 16-vjeçar po nga Elbasani. Materialet i kaluan Prokurorisë së këtij qyteti për veprime të mëtejshme për veprën penale “vjedhje e mbetur në tentativë”.

5 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›