Dritan Dajti kërkon gjykim të shkurtuar për vrasjen e katër policëve
Laureta Rryçi
Dritan Dajti u paraqit dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda me karrocë për shkak të sëmundjes së tij, për të kërkuar gjykim të shkurtuar të çështjes duke pranuar aktet procedurale në gjendjen në të cilën ndodhen. Kjo kërkesë u bë nga avokati mbrojtës i të pandehurit, Arben Qeleshi, i cili iu rikthye sërish çështjes pasi Dajti nuk ka pranuar të mbrohet më nga avokatja që i kishte caktuar shteti. Prokurori Eugen Beci kërkoi që të rrëzohej kjo kërkesë duke deklaruar se procesi ndodhet në një fazë ku kërkesa nuk mund të bëhet pasi i ka kaluar afati. Gjykata e pranoi pretendimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda duke hedhur poshtë mundësinë e një gjykimi të shkurtuar për Dajtin, i cili akuzohet për vrasjen e katër punonjësve të policisë dhe armëmbajtje pa leje.
Vendimi
Pas refuzimit të kërkesës së Dritan Dajtit për gjykimin e shkurtuar, ky i fundit humb mundësinë t’i shpëtojë burgimit të përjetshëm, ndonëse do të konsiderohet fajtor nga gjykata për veprat penale për të cilën akuzohet. Pas marrjes së vendimit nga gjykata dhe rifillimi i seancës gjyqësore, i pandehuri Dritan Dajti ka kërkuar që të marrë ndihmë mjekësore në sallën e gjyqit për shkak se nuk ndihej mirë. Kjo e ka detyruar gjykatën ta shtyjë seancën gjyqësore për një datë tjetër. Inspektori i policisë, Mariglen Muça, nuk ishte i pranishëm në seancë dhe përfaqësohej nga avokati mbrojtës, por në krah të Dajtit ishte i pandehuri tjetër i kësaj çështjeje, Ergest Xhoxhi.
Ngjarja
Dy prokurorët që ndoqën çështjen janë Ardian Nezha dhe Eugen Beci. Ngjarja e rëndë ndodhi më 9 gusht të 2009-s në Durrës. Dajti akuzohet si autori i vrasjes me armë zjarri të katër ish-oficerëve të Policisë së Shtetit, Festim Xhani, Artur Duçkollari, Altin Dizdari dhe Kastriot Feska. Ndërsa i pandehuri Ergest Xhoxhi akuzohet për përkrahjen e Dajtit në tentativat e tij për t'iu shmangur forcave të rendit kur ishte në kërkim, si dhe për falsifikim dokumentesh. Ish-punonjësi i Policisë së Durrësit, Mariglen Muça, akuzohet për "abuzim me detyrën", duke nënkuptuar ndihmën e dhënë prej tij ndaj Dajtit kur ai ishte në kërkim nga autoritetet e Drejtësisë. Dëshmitarët që do të thërriten në këtë proces janë mbi 20 persona.
5 Qershor 2010