Berisha uron homologun belg për Presidencën e BE-së
Kryeministri Berisha i ka dërguar dje një letër urimi kryeministrit të Belgjikës, Ives Leterme, me rastin e marrjes nga ana e Belgjikës së Presidencës së radhës së Bashkimit Europian. “Kam kënaqësinë e veçantë që, me rastin e marrjes nga ana e Belgjikës së Presidencës së radhës së Bashkimit Europian, t’Ju dërgoj, në emrin tim e të qeverisë shqiptare, përshëndetjet më të përzemërta dhe urimet më të ngrohta e miqësore për një presidencë të suksesshme në realizimin e objektivave të rëndësishme përpara Jush.
Me kënaqësi kam konstatuar se krahas përparësive të rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik e social të BE-së dhe për kapërcimin e situatës së krijuar nga kriza financiare globale, përmes konsolidimit të institucioneve e rritjes së punësimit e të prosperitetit të qytetarëve europianë, Presidenca belge vijon të mbështesë procesin e zgjerimit të unionit dhe përafrimin e mëtejshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe mbështet idenë e promovimit të infrastrukturave ndërkufitare. Sot vendi im ndodhet përpara ngjarjeve të mëdha në marrëdhëniet e tij me Bashkimin Europian, si vendimi për liberalizimin e vizave e shqyrtimi i kërkesës për anëtarësim dhe, eventualisht, marrja e statusit të vendit kandidat. Mbetemi me bindjen e thellë se Presidenca belge dhe vendi Juaj mik do të vazhdojnë t’i mbështesin Shqipërinë e shqiptarët për realizimin sa më të shpejtë të tyre”, - ka shkruar Berisha në këtë letër.
Topi pret ambasadorin Mishelsen: “Aspirata e Shqipërisë, integrimi në BE”
Presidenti Topi priti dje ambasadorin e Mbretërisë së Belgjikës, Mark Mishelsen, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në vendin tonë, me qëllim prezantimin e përparësive të qeverisë belge në çështjet e politikës së jashtme dhe të integrimit për periudhën gjatë së cilës Belgjika ka Presidencën e Bashkimit Europian. Gjatë bisedës, presidenti Topi, pasi bëri një panoramë shumë realiste të situatës politike në vend, rikonfirmoi se integrimi në Bashkimin Europian i Shqipërisë është përparësi kryesore e politikës së jashtme shqiptare dhe vuri në dukje përkushtimin maksimal të shtetit, institucioneve dhe qytetarëve shqiptarë në përmbushjen e kritereve të kërkuara për realizimin e kësaj aspirate. Në vijim, Presidenti i Republikës vlerësoi lart angazhimin e Parlamentit Europian, i cili aprovoi dy rezolutat për Shqipërinë dhe për Kosovën, si orientuese për suksesin e proceseve të tyre integruese. Edhe në këtë takim, kryetari i shtetit shprehu qëndrimin se integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE u shërben jo vetëm popujve të këtyre vendeve, por edhe misionit të BE-së për konsolidimin e paqes, demokracisë dhe begatisë në Europë. Nga ana e tij, ambasadori belg, Mark Mishelsen, i paraqiti presidentit Topi pesë përparësitë kryesore të Presidencës së radhës belge të Bashkimit Europian duke u vënë rëndësi dimensioneve të zgjerimit, të rritjes ekonomike, të mirëqenies shoqërore, mbrojtjes së mjedisit dhe konsolidimit të shtetit të së drejtës dhe zgjidhjes së konflikteve të brendshme.
13 Korrik 2010