E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha mandaton Patozin për të negociuar me PS-në për krizën



Eljona Ballhysa
Kryeministri Sali Berisha ka mandatuar dje kryetarin e Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, për të negociuar me PS-në për të zbatuar pikat e parashikuara në Rezolutën e Parlamentit Europian për zgjidhjen e krizës politike shqiptare. Kreu i qeverisë u shpreh i gatshëm për të ngritur një komision të ri hetimor për të bërë transparencën e procesit zgjedhor të qershorit 2009, ndërsa theksoi se edhe në këtë komision, PD-ja është e gatshme t’i japë PS-së postin e kryetarit dhe shumicën e anëtarëve. Ndërkaq, përsa i përket objektit të hetimit, Berisha tha se kjo pikë është e përcaktuar shumë qartë në Rezolutën e PE-së, duke iu referuar hetimit të materialeve zgjedhore. Përsa u përket fletëve të votimit dhe rinumërimit të tyre, kreu i qeverisë i bëri thirrje PS-së që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese ose Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
Mandatimi
“Javën e kaluar, Parlamenti Europian miratoi një rezolutë të rëndësishme dhe më mbështetësen për Shqipërinë, shqiptarët, qeverinë dhe shoqërinë në tërësi. Ju, seancën e kaluar i bëtë një vlerësim të madh asaj rezolute. Unë gjithashtu e vlerësova Rezolutën dhe çdo pikë të saj, ndaj kam edhe njëherë kënaqësinë të angazhohem për zbatimin e saj pikë për pikë së bashku me ju. Propozimi im është konkret; z. Astrit Patozi ka mandat të plotë të takohet me z. Gramoz Ruçi ose me atë që do të ngarkojë PS-ja. Por ne ngarkojmë kryetarin e Grupit të ulet e të diskutojë për konkretizimin e Rezolutës dhe i garantoj opozitës se ne kemi vullnet të plotë për zbatimin e saj”, - është shprehur kreu i qeverisë.
Komisioni
Ai gjithashtu theksoi se PD-ja është gati të krijojë një komision të ri parlamentar për hetimin e zgjedhjeve. “Nëse ata kërkojnë ta riformulojnë komisionin, të ulen dhe ne nuk kemi kundërshtim. I gjithë ky proces ka faktuar në mënyrë të qartë se në këtë vend është e mundur transparenca dhe funksionimi i shtetit ligjor plotësisht, në qoftë se ekziston vullnet nga Partia Socialiste dhe unë nuk kam pse ta vë në dyshim. Urdhëroni. Të ulet zoti Ruçi dhe mundësisht t’i kërkojmë në takim, po të duan le të amendojmë komisionin ekzistues, po të duan le ta ngrenë sërish. Por ata do të kenë kryetarin, do të kenë shumicën në votim. Objektin e ka përcaktuar qartë Rezoluta; thotë hetimin e materialeve të votimit, të përcaktojnë metodikën në zbatim të ligjit”, - është shprehur Berisha.
Përsa i përket kërkesës së vazhdueshme të PS-së për rinumërimin e votave, Berisha tha se ai nuk është kundër kësaj kërkese nëse ekziston një vendim gjykate që e ligjëron këtë proces. Për këtë qëllim Berisha i sugjeroi PS-së t’i drejtohet Gjykatës së Strasburgut. “Edhe njëherë dua të theksoj se nëse insistohet për rinumërim të votave, në mënyrë absolute, nuk kam asgjë kundër rinumërimit të çdo vote të ndryshimit të çdo rezultati. Veçse kjo mund të behët vetëm mbi bazën e respektimit të plotë të Kushtetutës dhe vendimeve të gjykatave. Në rast se Rama dëshiron t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, e garantoj se jam i prirur dhe i vendosur të zbatoj çdo vendim të saj. Në rast se kërkon t’i drejtohet Strasburgut, qeveria ime çdo javë vendos për zbatimin e vendimeve të Gjykatës së Strasburgut, sado që shpeshherë janë të dhimbshme dhe shumë të kushtueshme. Pra, unë mendoj se Rezoluta, nëse nuk bëjnë sofizma dhe unë nuk kam prirje për të bërë asnjë sofizëm, unë kam prirje të plotë për të zbatuar në përpikëri së bashku me ju atë rezolutë”, - është shprehur Berisha. Ai gjithashtu i bëri thirrje opozitës që të hartojë amendamentet e Kodit Zgjedhor në bazë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.
“Uroj të arrijmë të fillojmë punën për zgjedhjet e ardhshme, të hartohen amendamentet më të mira dhe nuk tërhiqem aspak. Le t’i hartojë opozita këto amendamente në përputhje me rekomandimet që ka bërë ODIHR-i për zgjedhjet. T’i votojmë ato dhe të shkojmë drejt zgjedhjeve të ardhshme si një shoqëri e lirë, siç jemi”, - është shprehur kreu i qeverisë.

Presidenca belge e BE-së
Ambasadori Mishelsen bën apel për zgjidhjen e krizës politike

Pas përfundimit të presidencës spanjolle të BE-së, dje, ambasadori i Belgjikës ka prezantuar në Tiranë programin e këtij shtetit të ri që merr presidencën e radhës së BE-së për gjashtë muajt në vijim. Në një konferencë për mediat, ambasadori belg, Mark Mishelsen, u shpreh se prioritete të Presidencës do të jenë dimensioni ekonomik, social, ekologjia, Drejtësia si dhe çështjet e brendshme të familjes europiane. Duke u ndalur veçanërisht për Shqipërinë, ambasadori belg tha se gjatë paradites së djeshme, gjatë takimeve me krerët më të lartë të shtetit shqiptar, u ka shprehur atyre shqetësimin e Brukselit. “Kam dhënë mesazhin se në mënyrë që të ketë ecje përpara na duhen sinjale pozitive. Kemi shprehur shqetësimin tonë për situatën politike në Shqipëri, ngërçin politik, i cili ka nevojë për dialog, si dhe moszgjidhjen e çështjeve që kanë mbetur të hapura në lidhje me zgjedhjet e vitit të shkuar. Në nëntor Komisioni Europian do të japë një opinion për Shqipërinë në lidhje me kërkesën për statusin e vendit kandidat”, - deklaroi Mishelsen. I deleguari i Brukselit bëri apel që kjo zgjidhje duhet të vijë para nëntorit, kur KE-ja të ketë marrë opinionin për Shqipërinë. “U bëj thirrje politikanëve që kam takuar ta shikojnë këto çështje në mënyrë transparente dhe kushtetuese. Të punojnë së bashku si maxhoranca dhe opozita për të gjetur një zgjidhje nga kjo situatë. Kanë mbetur edhe disa muaj dhe shpresa jonë si përfaqësues të Presidencës së BE-së është se do të ketë sinjale pozitive”, - është shprehur ambasadori belg. Ai bëri thirrje gjithashtu që udhëheqësit politikë të lexojnë me kujdes Rezolutën e miratuar pak ditë më parë nga Parlamenti Europian. “Shpresoj që Rezoluta të lexohet në mënyrë të kujdesshme nga udhëheqësit politikë e partitë. Kjo rezolutë të përdoret si dokument bazë për të ecur përpara”, - vazhdoi më tej ambasadori belg. Sa i përket liberalizimit të vizave, Mark Mishelsen tha se procesi është “teknik dhe jo politik”, dhe vetëm pasi vendi të përmbushë “tri kushtet” e vendosura nga KE-ja për Tiranën do të shikohet se si do ecet përpara. “Mbeten tri kushtet që ka vendosur KE-ja që duhen të përmbushen. Do të ketë një grup ekspertësh që do vijnë në Tiranë dhe do të vërtetojnë sa është arritur. Në bazë të kësaj do të shikojmë se si do ecim përpara. Nëse do ketë sinjal pozitiv, kjo çështje do shkojë në një nivel tjetër pozitiv”, - nënvizoi ambasadori i Belgjikës.
Gjatë qëndrimit në kryeqytetin shqiptar, ambasadori pritet të takohet dhe me përfaqësues të opozitës, ndërsa gjatë paradites është pritur nga Presidenti Topi, kryeministri Berisha e kryetarja e Kuvendit, Topalli.

13 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›