Ligori: “Topalli ka përfituar nga financat publike 33 milionë lekë”
Deputetja e Partisë Socialiste, Shega Ligori, e ka akuzuar kryetaren e Parlamentit, Jozefina Topalli, se në një vit krize ekonomike ka përfituar nga financat publike 33 milionë lekë. Ndërkaq, deputetja Ligori deklaroi se Topalli përfiton dieta nga Kuvendi sepse ka deklaruar se jeton në Shkodër kur në fakt banon në mes të Bllokut.
Deklarata
“Sot, në Republikën e Shqipërisë, rroga më e lartë shtetërore rezulton të jetë ajo e kryetares së Kuvendit. Sot, vetëm për rrogën që përfiton kjo zonjë duhet ngritur pyetja: çfarë janë këta pushtetarë që në ditët më të vështira për familjet shqiptare përdorin të gjitha mënyrat për t’u pasuruar në kurriz të tyre? Pasurimi i zonjës Topalli jo vetëm që është një shuplakë për të gjitha vështirësitë e qytetarëve të thjeshtë, por mënyra në të cilën ajo i përfiton këto fonde të taksapaguesve është plotësisht abuzive ndaj procedurave të shtetit dhe çdo rregulli moral”, - u shpreh Ligori.
Abuzimi
Deputetja socialiste deklaroi se Topalli, përveç rrogës së saj të lartë, abuzon me financat publike. Gjithashtu, Ligori deklaroi se kryetarja Topalli përfiton dieta nga Kuvendi i Republikës, 11 milionë e 178 mijë lekë, ose 11 milionë e dy pensione.
“Ne mund të flisnim edhe për pasuritë e tjera të zonjës Topalli, të mënyrës në të cilën kjo zonjë vazhdon të pasurohet duke përdorur postin e saj publik, por po ndalojmë te mënyra në të cilën kryetarja e Kuvendit abuzon e mashtron me financat publike për të përfituar ca para më tepër, pavarësisht se rroga e saj është ndër më të lartat në këtë vend, edhe pa i llogaritur dietat”, - u shpreh Ligori, duke shprehur shqetësimin se Topalli po pasurohet kur të gjithë shqiptarët po rëndohen nga kriza. “Kjo praktikë tregon edhe njëherë qëllimin final të liderëve të kësaj maxhorance, që është pasurimi me çdo mënyrë e mjet, pavarësisht gjendjes së qytetarëve të këtij vendi. Sot kultura e papërgjegjshmërisë në pushtet dhe e pandëshkueshmërisë në praktikë është një turp që e mbajnë mbi kurriz të gjithë qytetarët e këtij vendi, por sidomos një turp i atyre që si zonja Topalli abuzojnë me pushtetin për të përfituar fonde publike duke gënjyer në mënyrë të rëndomtë”, - tha Ligori.
Reagimi
Pas akuzave të selisë rozë për abuzimin me detyrën nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka reaguar menjëherë përmes një deklarate për shtyp. “Administrata e Kuvendit nuk çuditet me halucinacionet e kryetarit të Shegushe Ligorit. Administrata është e hapur t'i japë asaj dhe kujtdo tjetër shpjegime për çdo qindarkë të shpenzuar nga ky institucion", - thuhet në deklaratën e Kuvendit. "Znj. Ligori ende nuk e di se kryetari i Kuvendit nuk firmos për asnjë lek. Kryetari firmos vetëm ligje, rezoluta, vendime e marrëveshje të miratuara nga seanca plenare. Kryetari i Kuvendit paguhet bazuar në ligj, si çdo paraardhës i saj në këtë post. Administrata hedh poshtë me përbuzje si të turpshme e qesharake shpifjet e z.Rama përmes Shegushe Ligorit", - përfundon deklaratën Kuvendi.
13 Korrik 2010