Klosi: “Qeveria të ngrejë komisionin e ri hetimor pa u djegur fletët e votimit”
Eneida Jaçaj
Partia Socialiste i ka bërë thirrje maxhorancës të pranojë Rezolutën e Parlamentit Europian duke ngritur komisionin e ri hetimor pa djegien e fletëve të votimit. Sekretari Organizativ në PS, njëherësh deputet, Blendi Klosi, i ka kërkuar kryeministrit Berisha të angazhohet seriozisht në transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit në të mirë të integrimit të vendit.
Deklarata
Deputeti Klosi u shpreh se Partia Socialiste e ka pranuar zgjidhjen e ofruar nga Rezoluta e Parlamentit Europian dhe në emër të integrimit dhe interesave madhore të vendit është e gatshme të fillojë menjëherë punën për të zgjidhur krizën politike në vend.
Ai i bëri të ditur kryeministrit Berisha se pa u plotësuar të gjitha kërkesat e Rezolutës së Parlamentit Europian nuk do të ketë asnjë hap përpara drejt zgjidhjes së krizës. “Shqipëria ndodhet sot në një udhëkryq nga ku varet jo vetëm fati i integrimit të vendit, por edhe fatet e bashkëjetesës sonë demokratike. Shqipëria ndodhet sot në një krizë të thellë të deklaruar jo vetëm nga opozita, por edhe nga shumica dërrmuese e eurodeputetëve, të majtë e të djathtë”, - u shpreh Klosi, duke shtuar se “në Shqipëri ka sot vetëm një njeri, i cili mban përgjegjësi për këtë krizë, ashtu siç mban në dorë dhe çelësin për zgjidhjen e kësaj krize. Ky njeri është Sali Berisha. Sot këtë rol e përgjegjësi të Sali Berishës e njeh edhe Parlamenti Europian, i cili, me një rezolutë të miratuar në mënyrë gati konsensuale, me votën e të majtëve dhe të djathtëve, i dha Sali Berishës rrugëdaljen nga kriza: lejimin e transparencës së plotë të zgjedhjeve”.
Rezoluta
Në përmbushje të kërkesave të Rezolutës, Klosi deklaroi se Berisha duhet të pranojë ngritjen e komisionit të ri hetimor, ku opozita të ketë shumicën në këtë komision. Gjithashtu, Berisha duhet të pranojë që ky komision të drejtohet nga opozita dhe që të ketë mandatin për hetimin e materialeve zgjedhore në funksion të transparencën së zgjedhjeve të 28 qershorit. “Ta harrojë djegien e fletëve të votimit dhe çdo lloj diversioni, pengese, makinacioni e përpjekje për të penguar punën e këtij komisioni, sepse kjo do të shënonte ndarjen përfundimtare më këtë parlament e me këtë qeveri”, - theksoi Klosi. Sipas tij, Rezoluta e PE-së konfirmon edhe njëherë atë që PS-ja ka thënë qysh në krye të herës: transparenca është një parim bazë dhe një standard i pamohueshëm i një demokracie perëndimore. “Të gjitha përpjekjet e Sali Berishës për të ndaluar transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit janë thjesht përpëlitjet e dëshpëruara të një regjimi për ti shpëtuar përballjes me krimin mbi të cilin ngrihet pushteti i tij”, - tha Klosi.
13 Korrik 2010