Autobusi bie në humnerë, 14 viktima dhe 12 të lënduar
PUKË – Tragjeditë përsëriten. Pas humbjes së jetës së nxënësve nga Kosova, 6 vjet më parë, tragjedia është përsëritur dje në aksin Gjegjan – Fushë Arrëz. Një autobus i linjës Durrës – Fushë Arrëz doli nga rruga, duke rënë në humnerë, teksa ndodhej në fshatin Dom. E gjithë ngjarja është mbyllur me një bilanc të frikshëm, pasi më shumë se gjysma e pasagjerëve gjetën vdekjen. Burimet zyrtare të Policisë së Shtetit bënë të ditur mbrëmë se 14 persona humbën jetën, ndërsa 12 të tjerë janë plagosur dhe ndodhen për trajtim në Spitalin Ushtarak në Tiranë dhe në Spitalin Rajonal të Shkodrës. Të gjithë strukturat e shtetit janë angazhuar për t’iu ardhur në ndihmë personave të lënduar. Pas aksidentit, kreu i Policisë së Shtetit bëri të ditur se po hetohet për shkaqet e kësaj tragjedie, duke mohuar mundësinë që drejtuesi i mjetit, Zef Gjergji, i cili gjeti vdekjen në spital, të ketë konsumuar alkool. Edhe pista e motit të keq dhe lagështirës në rrugë është hedhur poshtë nga dëshmitë e dhëna nga të plagosurit.
Ngjarja
Zef Gjergji e ka bërë thuajse çdo ditë rrugën nga Durrësi në Fushë Arrës dhe anasjelltas. Por, e shtuna ka qenë fatale për të dhe shumicën e pasagjerëve të autobusit me targë PU 1330 A. Sapo kanë hyrë në territorin e komunës së Gjegjanit, teksa ndodheshin në fshatin Dom, rreth orës 17:00, autobusi ka dalë nga rruga, duke rënë në humnerë. Autobusi me 26 udhëtarë ka bërë disa rrotullime, duke rënë deri në lumin Fan. Për pasojë, disa persona, kryesisht fëmijë dhe gra gjetën vdekjen e menjëhershme. Banorë të fshatit kanë dhënë ndihmën e parë derisa ka shkuar policia.
Masat
Me urdhrin e ministrit të Brendshëm, Basha, u ngrit shtabi i urgjencës, ndërsa në vendin e ngjarjes shkuan zëvendësministri, Avenir Peka, dhe forcat RENEA dhe ato të FNSH-së. Në Gjegjan shkoi edhe kreu i Policisë së Shtetit. Në operacion morën pjesë edhe tre helikopterë të Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Brendshme. Kreu i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj deklaroi mbrëmë, teksa ndodhej në spitalin e Pukës se numri i të vdekurve është 14. Sipas tij, ky është numri paraprak i viktimave, ndonëse një pjesë e të lënduarve janë ende në rrezik pasi kanë pësuar plagë dhe shembe të brendshme.
Fillimisht, u raportua për 11 të vdekur, të cilët janë dërguar në qendrën shëndetësore të komunës Gjegjan. Por, gjatë rrugës për në Spitalin Ushtarak dhe gjatë momenteve të ndërhyrjes mjekësore, gjetën vdekjen edhe tre shtetas të tjerë. Mes tyre ishte edhe drejtuesi i mjetit, Zef Gjergji. Zëvendësdrejtori i Spitalit Ushtarak, S. Koçiku tha se kanë ardhur për ndihmë 13 të lënduar, por vetëm 10 prej tyre kanë mbetur gjallë dhe po marrin ndihmën mjekësore. Ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Shkaku
Në momentin që autobusi kishte hyrë në fshatin Dom ende nuk kishte filluar shiu ndonëse kishte vranësira. Fillimisht, burimet policore raportuan për një aksident të shkaktuar nga lagështira. Por, kjo pistë është hedhur poshtë nga dëshmia e G. Meçi, i cili ndodhej i shtruar në Spitalin e Shkodrës. Ai ka pohuar se nuk kishte filluar ende shiu në momentin kur autobusi doli nga rruga. Edhe kreu i policisë së Shtetit nuk dha ndonjë pistë për shkakun e aksidentit, por ka përjashtuar mundësinë që drejtuesi i mjetit të ketë qenë në gjendje të alkoolizuar. Ai ka pohuar se Zef Gjergji ishte i pajisur me leje për drejtimin e mjetit dhe ishte një drejtues mjeti me përvojë shumëvjeçare
Grupi hetimor po punohet për zbardhjen e rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të këtij aksidenti të rëndë.
Deri në orët e vona të mbrëmjes kanë qenë në vendin e ngjarjes me dhjetëra forca policie, drejtues të Ministrisë së Brendshme dhe të Shëndetësisë, deputetë të mazhorancës dhe opozitës dhe banorë të shumtë të zonës.
TË VDEKUR
Zef Gjergji
Arsen Marku,
Paulin Gjoni,
Mimoza Hasani,
Adem Mustafa,
Martin Lleshi
Alma Marku,
Albiona Marku,
Fran Paloka,
Gjovalin Pera
Elona Mustafa
Marie Prenga
Një i paidentifikuar
Një i paidentifikuar
EMRAT E TË PLAGOSURVE
Mirsad Mustafa
Armando Mustafa
Erikson Peraj
Pjerin Kola
Dora Mustafaj
Flora Peraj
Sara Pali
Xhesiko Pali
Gjon Marku
Artiola Prenga
G. Meçi
Aksidenti, 14 të rinj nga Kosova vdiqën më 18 tetor 2004
Një tjetër aksident i rëndë në përmasa të tilla ka ndodhur në këtë aks rrugor më 18 tetor të vitit 2004. Autobusi me nxënës kosovarë ra në një humnerë, ku vdiqën 14 të rinj dhe u plagosën dhjetëra të tjerë. Ka qenë ora 14:30, e datës 14 tetor 2004, kur dy automjetet, një autobus dhe një makinë tip Benz janë përplasur me njëra tjetrën. Autobusi i Kosovës, i shoqërisë Arbëria Turist i Suharekës, me targë 283 KS 293, vinte në drejtim të Fushë Arrësit dhe në të ndodheshin mbi 50 persona, pjesa më e madhe të cilëve gjimnazistë. Përplasja mes dy mjeteve bëri që autobusi të spostohej dhe më nga të gremisej.
REAGIMET
Edi Rama, të solidarizuar me të plagosurit
Kreu i PS, Edi Rama i shoqëruar dhe nga disa deputetë ka vizituar të plagosurit në Spitalin Ushtarak. Gjatë një prononcimi për mediat, Rama shprehu solidaritetin me gjithë familjarët dhe ata që janë në luftë për të mbijetuar dhe me gjithë mjekët e infermierët e sprovuar në raste të ngjashme, si një ekip i jashtëzakonshëm për të përballuar dhimbjen dhe punën e këtyre ngjarjeve të rënda. “Shpreh solidaritet me të gjithë familjarët dhe të gjithë ata që janë në luftë për të mbijetuar dhe me këtë ekip mjekësh, infermierësh, të sprovuar në raste të ngjashme, si një ekip i jashtëzakonshëm për të përballuar dhimbjet e tragjedive të tilla. Le të urojmë që vdekja të mos marrë njerëz të tjerë”.
Topi ngushëllon familjet e viktimave të aksidentit
TIRANË - Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm, Aleksandër Flloko dhe Drejtori i Kabinetit, Dashamir Xhaxhiu vizitoi pasditen e djeshme të plagosurit e shumtë si pasojë e aksidentit tragjik rrugor. Në një prononcim të shkurtër për mediat Kryetari i Shtetit theksoi: “Natyrisht sikurse të gjithë, ndihem shumë i lënduar për këtë aksident që mori përmasa tragjike. Me këtë rast dëshiroj të shpreh ngushëllimet më të sinqerta për të gjitha familjet që patën viktima duke u thënë që jam pranë tyre në këto moment të vështira! Sigurisht uroj që të gjithë të plagosurit të dalin nga gjendja kritike! E rëndësishme është të thuhet që ka pasur dhe ka një organizim të shkëlqyer nga të gjitha strukturat dhe një solidaritet njerëzor që në të tilla raste, kuptohet që është i shprehur qartë.”
Berisha: “Të lutemi që të plagosurit të kalojnë traumat”
TIRANË - Kryeministri Berisha ka mbërritur rreth orës 20:00 të mbrëmjes së djeshme në Spitalin Ushtarak për të vizituar nga afër të plagosurit e aksidentit tragjik të ndodhur pasditen në aksin Rrëshen-Fushë Arrëz. Menjëherë pasi u informua për gjendjen e të plagosurve, kreu i qeverisë shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave. “Janë marrë të gjitha masat që tu jepet ndihma më e mirë e mundshme e të plagosurve. Me këtë rast dua tu shpreh familjeve të viktimave ngushëllimet më të sinqerta të qeverisë shqiptare. Mbarë shqiptarët ndajnë sonte zinë e rëndë që ka pllakosur familjet e tyre. Le të lutemi së bashku për shëndetin e të plagosurve që ta kalojnë dhe të shërohen nga traumat e pasojat e saj” u shpreh kryeministri Berisha i cili anuloi përurimin në Shkozet sapo u njoftua për aksidentin e rëndë.
19 Korrik 2010