E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza në Greqi sapo ka nisur, kompanitë e huaja ulin “qepenat”



Ervin KOÇI

Greqia dhe ekonomia e saj e gjymtuar duket se tani do t’i nisin bërjen e llogarive të vërteta me krizën. Sado që t’u duket e çuditshme, në Greqi tani po fillon kriza. Ky është mendimi i analistëve ekonomik të shtetit helen por dhe i medieve, të cilat kanë bërë një pasqyrë të re asaj çka po ndodh në këtë vend. Sipas medieve greke, “kriza në Greqi është në hapat e para”. Shkak për këtë po bëhet largimi i kompanive dhe investitorëve të huaj, të cilët të detyruar nga mungesa e stabilitetit por dhe nga burokracia e madhe shtetërore, po i ulin “qepenat” e aktiviteteve të tyre. Të përditshmet greke dje kishin hapur gazetat e tyre me pyetjen, “Pse vallë shumë kompani ndërkombëtare po largohen nga Greqia?”. Shkaku kryesor sipas tyre ishte burokracia greke e cila duke përfituar dhe nga kriza që ka pllakosur vendin është bërë edhe më e ashpër. Por si do që të jetë, kompanitë që janë larguar vitin e fundit nga Greqia, nuk numërohen me gishtat e duarve. Ditën e premte ra si bombë lajmi se kompania që kishte një rrjet zinxhir supermarketesh të fuqishme “ALDI” (kompania me çmimet më të ulëta në treg), deklaroi se po largohet nga Greqia. Në të gjithë vendin ky rrjet kishte 38 supermarkete me çmime shumë të ulëta. Por duket se burokracia greke dhe nismat zero të qeverisë, për të nxitur rritjen e zhvillimit të kësaj kompanie, që ndihmon shtresat e ulëta ekonomike, ka bërë që ajo të largohet dhe të lerë pas 800 të papunë.

Largimet
Me qiratë shumë të larta, me çmimet e pronave që janë 50 për qind më të shtrenjta në krahasim me vendet e zhvilluara, dhe me ministra që nuk marrin masa, kompanitë gjermane janë të parat që po përshëndesin njëherë e përgjithmonë Greqinë. Një javë më parë, kompania “FNAC”, e cila kishte deklaruar se nga 3 dyqane që kishte do ti bënte 10, më në fund u tërhoq plotësisht dhe iku nga Greqia. Përveç “FNAC” dhe “ALDI”, në largim e sipër janë edhe kompanitë “Plus”, “Shell”, “BP” dhe “Interattica”. Këto janë disa nga kompanitë që janë të përhapura në të gjithë vendet e Europës. Kjo situatë po
pasohet edhe nga kompanitë greke të cilat ose mbyllen përfundimisht, ose po i transferojnë kapitalet e tyre në vendet e Ballkanit perëndimor. Rasti i fundit është ai i supermarketeve “Atlantik”, të cilët nuk janë në gjendje të përballojnë borxhet që u shkaktoi kriza globale. Në datën 14 korrik, deklarata se krerët e Atlantik kanë bërë kërkesë që të përfshihen në nenin 99 (parashikon ndihmën nga qeveria për të mos falimentuar kompanitë e mëdha), ka treguar se janë kompania është një hap para falimentimit. Të njëjtën rrugë kanë ndjekur edhe kompanitë “Elite” dhe “Edrasi”, ndërsa kanë mbyllur përfundimisht aktivitetin kompanitë “Planet Home” dhe “Apergis”.

Situata
Përveç se po mbyllen ose po zhvendosin aktivitetin e tyre nga Greqia, kompanitë internacionale po lënë prapa edhe një lum me të papunë, në një pjesë të konsiderueshme edhe emigrant. Në tregjet greke ka thashetheme se po përgatiten shumë kompani të tjera për tu kyçur, ndërsa njerëzit që njohin mirë fushën e kompanive ndërkombëtare kanë deklaruar se edhe disa të tjera që duket sikur punojnë (kanë klientelë), janë duke u përgatitur që të largohen nga Greqia. Numri i kompanive që po mbyllen deri tani është i konsiderueshëm, por po të llogarisësh njerëzit që mbeten pa punë, vetëm 10 mijë prej tyre janë emigrantë që nuk kanë më asnjë shpresë për të ardhmen në Greqi. Kjo situatë nuk ka sjellë pasojë vetëm për shtetasit grek, por edhe për emigrantët të cilët nuk kishin punuar gjatë gjithë dimrit për shkak të krizës dhe prisnin që të vinte vera për të shkuar në ishujt grekë për të punuar.

BOX/////////////////////////////
Greqi: Falimenton kompania turistike, 16 mijë turistë anglez ngelen në rrugë

Gjashtëmbëdhjetë mijë turistë anglezë kanë mbetur në një “rrugë pa krye” në Greqi e Turqi pas falimentimit, krejt papritur të kompanisë turistike “Goldtrail”. Për Greqinë, kompania kishte mbyllur 5000 vende në hotele, nga muaji maj deri në muajin tetor. Kreu i Shoqatës së Agjencive Turistike, Janis Evagjelu, deklaroi dje se, “vetëm për në Korfuz ishin mbyllur 1200 vende, të cilat do të mbeten bosh, ndërsa 800 turistë anglezë që gjenden në Greqi, do të kthehen në vendin e tyre para afatit të caktuar”. Kreu i shoqatës theksoi se, në raste të tilla, kur falimenton një kompani, shpenzimet e turistëve që duhet të kthehen në vendin e tyre mbulohen nga Autoritetet e Aviacionit Civil të Anglisë, mirëpo problemi është se falimentimi i “Globtrail”, do të thotë se shumë njerëz nuk do të kalojnë pushimet në Greqi. Kompania në fjalë është ndër më të mëdhatë në vend. Ajo u themelua në vitin 1990 dhe shiste kryesisht paketa për pushime nëpërmjet agjencive turistike.

19 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›