E Diel, 1 Nëntor 2026

Lezhë, ngecet në rërë, ngordh delfini pas disa orësh

LEZHE - Një delfin rreth 2 metra i gjatë dhe me një peshë rreth 150 kilogramë u gjet i ngordhur, teksa kishte ngecur në cekëtinë dje në plazhin e Tales në Lezhë. 

Ngjarja tërhoqi vëmendjen e shumë pushuesve. Por nga ana tjetër vendorët nuk morën masa, duke e lënë peshkun gjigant të ngordhur për mjaft orë në bregun e detit, duke rrezikuar edhe përhapjen e ndonjë infeksioni pas fillimit të kalbëzimit të mishit. Ndërkohë që pushuesit kanë pasur rastin më të mirë ditën e djeshme të jenë edhe dëshmitarët okularë, të një “sfilate” të një tufe delfinësh, e cila ka bërë xhiron e radhës gjatë pasdites së djeshme në ujërat e plazhit të Tales. Njëri nga këta delfinë i cili ka “guxuar” t’i afrohet më shumë bregut, ka qenë edhe më fatkeqi, pasi ngeci aty dhe nuk mundi të kthehej më dhe t’i bashkohej grupit të tij. Për shkak të peshës së madhe të kafshës nuk kanë mundur t’i vijnë në ndihmë as pushuesit e shumtë të ndodhur aty pranë dhe për pasojë pas disa orësh delfini ka ngordhur. Sipas pushuesve tufa të tilla delfinësh, të cilët vijnë dhe largohen më pas drejt kepit të Rodonit, janë thuajse të përvitshëm në plazhin e Tales. Sipas peshkatarëve të zonës, kjo tufë ka qëndruar gati 2 javë në afërsi të bregut të këtij plazhi, duke ofruar spektakël për plazhistët. “Syrit të plazhistëve nuk iu kanë munguar as hedhjet dhe akrobacitë e delfinëve”, u shpreh njëri nga pushuesit. Shumë pak kohë pas ngordhjes trupi i kafshës, i ndihmuar edhe nga temperaturat e larta filloi te dekompozohej, duke rrezikuar të kthehej në një vatër infeksioni. Ndërkohë që deri në orët e vona të ditës as komuna dhe as Drejtoria e Shëndetit Publik nuk mori asnjë masë për largimin dhe më pas groposjen e delfinit.     r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›